20 Prill, 2024 - 1:29 pm
Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia.
Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.
MKRS ka bërë të ditur se Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në njoftim po ashtu thuhet se Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024.
Lokacioni:
Museo Storico Navale della Marina Militare
Riva S. Biasio, 2148
30122 Venedik VE, Itali
(në mes të hapësirave ekspozuese të Arsenales dhe Giardinit)/ KultPlus.com