18 Janar, 2018 - 8:39 pm
MoMA – Muzeu i Artit Modern do të eksplorojë arkitekturën e Jugosllavisë së dikurshme në një ekspozitë enkas për këtë periudhë.
“Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980” (Drejt utopisë konkrete: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980”) do të jetë kësisoj ekspozita e parë e madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila do të studiojë punët arkitekturore në 45 vitet e ekzistencës së Jugosllavisë.
Do të jenë rreth 400 vizatime, modele, fotografi dhe video të marra nga arkiva shtetërore, koleksione familjare dhe objekte nga muzetë nga regjioni i ish Jugosllavisë, duke sjellë kësisoj arkitektët kryesorë të Jugosllavisë para një audience më të gjerë në New York.
Ekspozita do të shpalosë punën e arkitektëve Bogdan Bogdanović, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe Milica Šterić.
Arkitektura e kësaj periudhe – që nga stili i rrokaqiejve e deri te pjesa e brutalizmit – është manifestim i një pluralizmi radikal dhe idealizmi që e karakterizoi vetë shtetin jugosllav, thuhet mes tjerash në konceptin e kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.
“Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980” do të fokusohet në temën e urbanizmit, eksperimentimit teknologjik dhe aplikimit të tij në jetën e përditshme, krahas edhe konsumerizmit, monumenteve dhe memorializimit, duke mos harruar edhe arritjen globale të arkitekturës në ish Jugosllavi.
Xhamia e Bardhë e Bosnjës, ndërtimi i qytetit të Shkupit pas tërmetit të madh, Beogradi i Ri dhe ndërtesat e ‘çuditshme’ të kësaj pjese të Beogradit, janë në mesin e disa prej momenteve që i përfshin kjo ekspozitë.
Ekspozita do të hapet me 15 korrik të këtij viti dhe do të jetë e hapur deri me 13 janar të vitit 2019-të. / KultPlus.com