Mu në zemër të Nju Jorkut, artistja Teuta Ibriqaj me vepër artistike në qendrën botërore ‘Rockfeller’

4 Prill, 2022 - 5:09 pm

“Rockefeller Center” është një pikë referimi historike kombëtare në zemër të Midtown Manhattan. Shtëpia e “Top of the Rock Observation Deck”, “NBC Studios”, “Radio City Music Hall” dhe shumë më tepër, së fundmi pati dalë me një thirrje për të dizajnuar një flamur që do të valvitej krahas punës së mrekullueshme nga artistë të shquar si: Jeff Koons, Carmen Herrera, Christian Siriano, Hank Willis Thomas, Jenny Holzer, KAWS, Laurie Anderson, Marina Abramovic, Faith Ringgold, Sarah Sze, Shantell Martin, Steve Powers, me c’rast në mesin e tyre është bërë pjesë edhe artistja Teuta Ibriqaj, shkruan KultPlus.

Artistja Teuta Ibriqaj është paraqitur me veprën e saj në formën e instalacionit, që përmban titullin “Earth and Sea”, në kuadër të #TheFlagProject.

E pyetur se si erdhi ideja për realizimin e këtij intalacioni, Ibriqaj për KultPlus thotë se ndonëse ajo gjithmonë paraqet diçka në formë abstrakte në një mënyrë moderne që është e dukshme për publikun dhe që i jep mundësi asaj që të flas në një mënyrë artistike, kësaj radhe ajo ka vendosur që të shfaq diçka ndryshe nga e zakonshmja.

“Doja të shfaqja diçka tjetër në një pikturë dhe të paraqes Tokën dhe bukurinë e saj, edhe pse unë jam në një proces të një skice të krijimit të Tokës me bukurinë e saj, ende vazhdoj të krijoj. Ideja më erdhi si: “Tokë dhe Deti”, ku shtrova pyetjet si: Si ta duam?, Si ta ruajmë?, Si ta çmojmë më tepër vendin?”, thotë Ibriqaj.

Sipas saj, në vepër është shpalosur një sipërfaqe që ndahet në dy ngjyra të bukura, atë krem në të kaft të hapur që paraqet Tokën në një mënyrë të pastër, ndërsa në anën e djathtë shihet ngjyra e gjelbër në të kaltër të hapur që paraqet bukurinë e ujit të kristaltë, për të shprehur kështu harmoninë e jashtëzakonshme të Tokës dhe Detit.

“Unë krijoj në vazhdimësi dhe ajo më jep kënaqësi të tejskajshme. Që të kam mundësinë të shpreh në mënyrë artistike atë qe kam si artiste dhe se si e shoh atë bukuri përmes syve te mi në këtë pjesëmarrje, po më bënë të lumtur shumë. Por ndihem e lumtur edhe që po prezantoj popullin shqiptar me një vepër arti mu në zemër të New York dhe aq më tepër nëpërmjet një projekti të madh ndër artistë të shkëlqyer”, thotë Ibriqaj për KultPlus.

Këto vepra artistike që shfaqen në formën e një flamuri në kuadër të #TheFlagProjcet, do të valviten nga data 1 prill deri më 1 maj.

Qëllimi i këtij instalacioni është mjedisi ku jetojmë dhe kjo është një përzgjedhje e punimeve në bashkëpunim me “Climate Museum” nga United Nations Environment Programme, gjithashtu me qëllim të ruajtjes së gjithë globit tokësor. / KultPlus.com

Të ngjajshme