9 Gusht, 2022 - 11:00 pm
Nga fototeka e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, ministrja e Kulturës, ka veçuar për sot, një foto të Lekë Vocit. Kështu “Muaji i Fotografisë” vijon me një imazh të kapur në Shkodrën e vitit 1975, ku dallohen një grup alpinistësh gjatë stërvitjes.
Fotografi Lekë Voci lindi në vitin 1938 dhe ndërroi jetë në 2010-ën.
Ishte i pari ndër shtatë fëmijët e një familjeje të varfër malësore nga fshati Shllak i Dukagjinit. Njohjen me mjeshtërinë e fotografisë e nisi me Pjetër Rraboshtën, por miqësinë më të madhe ai do ta kishte me Dedë Jakovën, i cili do t’i mësonte atij fotografinë.
Pavarësisht kësaj, ai në mënyrë të fshehtë si shumë prej fotografëve punonte edhe privatisht. Gjatë kohës së punës në Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve ai punoi më së shumti me aparatet “Praktika” dhe “Kodak”. Fillimisht u mor me fotografimin për regjistrimin e popullsisë dhe më pas me fotografinë e natyrës, dasmave dhe aktiviteteve të ndryshme të kohës.
Ashtu si fotografë të tjerë të qytetit të tij, edhe Lekë Voci la një arkiv fotografik të pasur. Në fototekën “Marubi” ruhen mbi 800 poza të shkrepura në film. / KultPlus.com