Muhamet Ahmeti-Metis, me ekspozitë personale në Turqi

5 Prill, 2018 - 3:30 pm

Artisti Muhamet Ahmeti-Metis ka hapur ekspozitën e tij personale në Gazipasa të Turqisë. Në këtë ekspozitë ai ka sjellë për artdashësit 26 punime të cilat veçohen për tematika të ndryshme që shtjellojnë, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë të hapur më 2 prill në Galerinë e Qendrës Kulturore të qytetit në Gazipasa (Antalya) të Turqisë, janë ekspozuar 26 punime të periudhave të ndryshme kreative si: Ilustrime tematike dhe piktura në mediumin e teknikës vaj – akrilik në telajo dhe në letër.

Tematika e punimeve ka qenë e ndryshme duke përfshirë ciklin “Deportimi”, ” Lule mbi tokën e përgjakur”, “Histori Shtetndërtimi” etj.

Në hapje të kësaj ngjarje morën pjesë shumë personalitete të rrethit dhe artistë nga vende të ndryshme, pjesëmarrës të Simpoziumit Artistik në këtë qytet. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datën 9 prill./ KultPlus.com

Të ngjajshme