12 Korrik, 2021 - 5:57 pm
Sot në ambientet e ”Europe House” u hap ekspozita ”Një jetë kushtuar artit” e artistit Agron Mulliqi. Ekspozitë kjo që gjithsej përfshinte 28 piktura në teknikën letër, akril dhe vaj, shkruan KultPlus.
”Një jetë kushtuar artit” shfaqë pikturat më të rëndësishme të artistit. Në një pronocim për KultPlus, Mulliqi ka theksuar se ekspozita përmban disa piktura nga vitet 2019 dhe 2020, e sidomos veprat e realizuara nga ai në periudhën e karantinës. ”I kam përzgjedhur ato që i kam konsideruar si më të rëndësishmet, në të cilat kam shfaqur variante të nshumë të portreteve dhe të hyjneshës”, është shprehur Mulliqi për KultPlus.
Ndër elementet që binin më së shumëti në sy, ishin motivet tradicionale të cilat Mulliqi me aq delikatesë i kishte përdoru në disa nga veprat e tij.
Të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishin edhe artistë të shumtë, të cilët e vlerësonin lart punën artistike të Mulliqit. Ndër këta artistë, i pranishëm ishte edhe Skënder Idrizi, njëherit edhe piktor pjesëmarrës në hapjen e ekspozitës, i cili për KultPlus u shpreh se Agron Mulliqi është një artist i cili befason gjithmonë me veprat e tij, vepra këto të cilat Idrizi i konsideron të jenë tejet origjinale dhe gjithmonë vijnë si një risi nga stili i veçantë i Mulliqit.
“Mulliqi është një piktor shumë i veçantë sidomos në teknikën e tij të përdorimit të elementeve kombëtare” shton skulptori Sabit Behrami, po ashtu pjesëmarrës në këtë ekspozitë, për KultPlus.
”Një jetë kushtuar artit” do të qëndrojë e hapur për një muaj, ku dashamirësit e artit dhe në veçanti adhuruesit e artistit, do të kenë mundësi që brenda kësaj periudhe të vizitojnë nga afër ekspozitën e veçantë të Agron Mulliqit. / KultPlus.com