15 Mars, 2018 - 10:41 pm
Alberina Haxhijaj
Artisti Agron Blakçori ka hapur sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspozitën e tij “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur”, një ekspozitë e cila me mjaft kreativitet pasqyron realitetin në Kosovë.
Ata që e vizituan këtë ekspozitë, me të arritur në katin e dytë të Galerisë Kombëtare ku edhe qëndronin veprat e ekspozuara, mund të vërenin se artisti veprat e tij i realizon duke mbledhur objekte të rëndomta, por të cilat pastaj kthehen në vepra të çmueshme dhe me mesazhe prapa tyre. Blakçori duke mbledhur “mbeturinat” ka arritur që tu japë veprave të tij një bukuri mirëpo duke ngritur prapa tyre pyetjen se a mund të jenë ato të bukura.
“A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur” ka filluar me një imazh të një peizazhi urban, një fotografi e cila është shkrepur nga artisti afër shtëpisë së tij në Podujevë. Fotografia paraqet një “intervenim” të rëndomtë të mbeturinave të njerëzve dhe natyrës. Një strukturë delikate dhe e brishtë e ndërtuar nga plastika dhe degë të thata. Prapa, në plan të tretë, shtëpi të reja të cilat sapo janë ndërtuar nga një ekonomi artificiale paraqiten të ndara dhe të mbrojtura nga një mur brenda hapësirës kolektive të mbyllur.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Bunjaku, u shpreh se kjo ekspozitë shërben për të parë evoluimin e artit të artistit Agron Blakçori, që nga banka e tij e djegur, e deri tani.
I diplomuar nga Fakulteti i Arteve të Universitetit të Prishtinës me master në skulpturë, kryesisht punët e Blakçorit janë të inspiruara nga objektet dhe situatat në rrugë, përballje ku artisti i jep kuptim asaj e cila ka mbetur e fshehur nga njerëzit e tjerë të cilët e kanë injoruar.
Agron Blakçori ishte fitues i edicionit të parë të ‘Artistëve të Rinj’ në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2016 dhe fitues i qëndrimit në Berlin për dy muaj për të zgjeruar më shumë punën e tij. Kuratori i ekspozitës, artisti Mehmet Behluli, tregoi se pikërisht kjo ekspozitë është edhe vazhdim i punës që artisti ka realizuar atje, ku edhe ka dhënë një ekspozitë me të njëjtin titull.
“Në arte apo në filozofi, e bukura në natyrë ndërron nga ajo në art. Prandaj për ne ka qenë sfidë specifike me futë bërllok brenda galerisë, me të vetmin qëllim që me provu, me reflektu, ose juve, pra publikut me ia ofru disa defekte të shoqërisë tonë. Unë besoj që nëse arti ka mision, misioni themelor është që të reagojë, kritikojë e të ndriçojë problemet në shoqëri” u shpreh kuratori.
E gjithë ekspozita sillej rreth këtij koncepti, pa anashkaluar edhe dhomat e tjerat të cilat ishin ndërtuar në atë formë që secila dhomë shfaqte një temë të caktuar. Kështu një problem tjetër për të cilin është bërë mjaft debat në shoqërinë tonë zinte vend në njërën nga dhomat. Aty mund të shiheshin katër dyer, një karrocë, një valixhet e mbushur me beton njëlloj si këpucët.
Artisti Agron Blakçori tregoi se kjo ekspozitë është zgjerim i ideve të cilat ai i ka pasur më parë, apo i punëve të realizuara më herët mirëpo që kanë ardhur në një formë tjetër artistike.
“Ne kemi shumë probleme me mbeturinat, nuk është që me vetëm një ekspozitë mundem me e zgjidhë këtë problem dhe për këtë jam i vetëdijshëm. Mirëpo kjo ka qenë mënyra qysh unë kam reaguar përmes veprave artistik e kjo sado pak ndoshta do të reflektojë. Në këtë rast kanë qenë mbeturinat mirëpo nuk janë vetëm mbeturinat por ka edhe shumë gjëra të tjera , si problemi i lëvizjes së lirë apo vizave. Çdo hapësirë e ka nga një titull që lidhet me punime të cilat i kam bërë e që njëkohësisht lidhen edhe me titullin e ekspozitës”, tregoi artisti për KultPlus.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 1 prill 2018. / KultPlus.com