2 Shtator, 2019 - 5:30 pm
Artisti spanjoll Domingo Zapata ka realizuar një vepër që ka thyer rekordet në “Times Square” dhe po shpreson që ajo do t’i bëjë turmat që të ndalen.
“Times Square” nuk është një vatër e kulturës. Siç ka thënë Fran Lebowitz një herë: “Nëse jeni nga Nju Jorku dhe takoni aty një tjetër njeri nga New Yorku, është sikur të takosh dikë në një bar homoseksualësh në vitin 1970. Ju nxirrni arsyetime, përse jeni aty”.
Tani kjo qendër turistësh në Manhattan po ndryshon, po fillon që të shohë më shumë art. Artisti spanjoll Domingo Zapata sapo ka përfunduar së pikturuari muralin e tij më të madh që qyteti i Nju Jorkut ka parë, shtrirë më shumë se 91 metra lart në murin e ndërtesës. I janë dashur tri javë për ta pikturuar dhe do të qëndrojë aty për disa muaj. Mirëpo në “Times Square” ? Më të vërtetë?
“Kam menduar, ‘Le të sjellim diçka jokomerciale në pjesën më komerciale të botës’”, ka thënë Zapata. “Është e rëndësishme për njerëzit që të marrin disa minuta dhe ta shijojnë atë. Është për ëndrrat dhe sesi gjithçka është e mundur. Ju mund ta shihni vetën tuaj në të dhe ndoshta do t’ua bëjë ditën më të bukur”.
Gati 340 mijë njerëz – shumica e tyre turistë, kalojnë nëpër “Times Square” çdo ditë, gati 50 milionë në vit – pra ky nuk është vendi ku dikush mund të presë që të gjejë art, përveçse në peizazhet e kartolinave, dhe ndoshta në kaubojin e zhveshur.
“Prandaj ne e kemi sjellë atë këtu, ishte koha”, ka thënë Zapata. “Madje më parë edhe reklamat ishin më artistike, sot gjithçka është me të dhëna, çfarë ka ndodhur me atraksionin natyral të gjërave?”.
Veprat e artit janë për të shfaqur mirënjohje. “Ndalo për një sekondë, ne ecim shumë shpejt me rrjete sociale. Çfarë po ndodh me të ndaluarit dhe me vlerësimin e asaj që është para teje, tani”, pyet ai. “Ndoshta juve do t’ju pëlqejë ajo”.
Murali po mbulon ekranin LED në “One Times Square”, një ndërtesë me 25 kate e Jamestown-it, e që ka disa ekrane që merren me qira nga firma e reklamave “New Tradition”. Në të njëjtin vend ku topi i Natës së Vitit të Ri bie çdo vit që nga viti 1907. Është i njëjti vend ku reklama kushton rreth 1 milion dollarë për vit.
Zapata më parë kishte bërë disa video arte në “Times Square” para se Jamestown të ofrohej për një projekt më të madh. “Ata kanë dashur që të pikturoja një mural aty ku duhet që të jenë reklamat, të bënin diçka ndryshe”, ka thënë ai. “Ata mendonin se unë isha artist i çmendur që të shkoja deri atje”.
Kjo edhe ishte diçka e çmendur nëse merret ne konsideratë problemi i papritur. “Në ditën e parë ne mbetëm të ngujuar në skele për tri orë në një lartësi 60 metra dhe kishim humbur energjinë, një stuhi po vinte dhe energjia ishte ndërprerë”, ka thënë Zapata. “E kam pyetur veten, ‘Përse jam duke e bërë këtë? Çfarë isha duke menduar?’”.
Murali i Zapatës ka elemente që prekin artin modern evropian. Është një lojë me simbole të njohura (kitarë, si ajo që Pablo Picasso kishte pikturuar), një njeri i veshur në komplete (si ai i Henri de Toulouse – Lautrec) dhe lule (sikur ato të Henri Matisse).
Murali shtrihet rreth 15 kate të ndërtesës, duke mbuluar perëndimin, lindjen dhe veriun e “One Times Square”. Ishte krijuar nga një ekip prej 25 njerëzve, duke përfshirë një ndihmës për të pikturuar. Sidoqoftë, nuk është krejtësisht e pikturuar në muri, disa pjesë nga vepra janë të pikturuara në material.
Ngrite kokën lart dhe lexo frazat si: “Jeta është një ëndërr” dhe “Të gjithë vdesin, mirëpo jo të gjithë jetojnë”.
“Ajo çka po përpiqem të them është se këtu është arena financiare më komerciale dhe agresive, ku njerëzit janë vetëm ec, ec , ec”, ka thënë Zapata. “Ju nuk i kushtoni rëndësi faktit se ndoshta nuk ju duhen këto ëndrra dhe gjëra të mëdha, mirëpo ndoshta kombinimi i gjërave të vogla dhe i detajeve. Ndalo për një sekondë dhe çmoje atë që ke. Do të jetë një shpërblim për ju”.
Para se kjo të krijohej, murali më i madh në New York, ishte një pikturë 1 mijë e 858 metra katrorë në “Lagjen Perëndimore” krijuar nga artisti nga Argjentina, Magda Love, së bashku me studentë të shkollave përreth.
Nga një video arti politike e Alfredo Jaar në vitin 1987, te seritë e fundit të video-arteve në mesnatë, billbordet në “Times Square” kanë parë një ndarje të drejtë të veprave të artit. Së fundi bashkëthemeluesi i “Studio 54”, Ian Schrager, ka marrë një ekran LED në qosh të “Rrugës 47” dhe “Broadway” për të promovuar hotelin e ri me studion e dizajnit të Sila Sveta për të kthyer prapa “shkëlqimin e sofistikuar dhe romancën” e “Times Square-it” të viti 1940.
Pas disa muajve murali do të largohet, pjesët e Zapatës në pëlhurë do të copëtohen dhe do të dhurohen për bamirësi për të mbështetur edukimin për art. Në mesin e përfituesve do të jetë fondacioni i edukimit “Pope Francis”, “Scholas Occurrentes” dhe “Elevate”, një organizatë nga New Yorku e cila e dërgon artin nëpër shkolla brenda qytetit.
“Arti është një terapi e mirë për të kuptuar se ju mund të krijoni vendin tuaj në botë, vendin tuaj magjik”, thotë Zapata. “Po përpiqem që t’ju ndihmoj të tjerëve që të shohin diçka pozitive”.
Njëlloj siç e kishte pikturuar një mural gjatë koncertit për paqe në Madrid këtë verë, Zapata po bart të njëjtën energji.
“Më pëlqen që të dërgoj mesazhe me energji pozitive”, ka thënë artisti. “Unë gjithmonë them, shumë piktorë bëjnë deklarata se çfarë është keq në botë, unë nuk di për politikën apo sesi të bëj ekonomin më të mirë, mirëpo unë e di sesi ta bëj atë më bukur për njerëzit të cilët e dinë sesi ta bëjnë atë një vend më të mirë”.
“Ky është qëllimi im”, thotë ai.
“Këtu ka shumë për t’u shqetësuar. Ne nuk mund ta ndryshojmë botën për një ditë, javë apo vit, mirëpo gradualisht mundemi pak nga pak”, thotë Zapata. “Energjia pozitive është e mirë, mirëpo njerëzit janë mësuar me negativitet. Në lajme gjithçka është një katastrofë, mirëpo jo çdo gjë është katastrofë. Ka gjëra të bukura, por që nuk iu kushtojmë rëndësi”