Murali që paraqet mitin grek në Pompei, ekspozohet për publikun

26 Nëntor, 2019 - 11:00 am

Murali që paraqet një skenë erotike nga miti grek për Ledan dhe mjellmën – i zbuluar gjatë gërmimeve vitin e kaluar – është ekspozuar për herë të parë në qytetin romak të Pompeit.

Murali i ruajtur mirë i figurës së Ledas, që ishte mbarsur nga hyu romak Jupiter, i maskuar si mjellmë, është gjetur vitin e kaluar gjatë gërmimeve të Regio V, një hapësirë në parkun arkeologjik që fshihte në vete befasi të shumta.

Via del Vesuvio, rruga drejt shtëpisë së klasës së lartë, apo domus, që përmbante edhe muralin, është rihapur. Arkeologët besojnë se domusi i takonte një tregtari të kamur që dëshironte të reflektonte nivelin e tij të lartë kulturor duke e stolisur shtëpinë e tij me freska të frymëzuara prej miteve.

Imazhi ishte mjaft i shpeshtë në shtëpitë në Pompei dhe në Herculaneumin e afërt, të cilat u shkatërruan kur mali Vezuv shpërtheu në vitin 789 të erës sonë.

Leda është një figurë e rëndësishme në mitologjinë greke. Për të thuhej se mbante fëmijë të lindur nga Zeusi, version grek i Jupiterit, dhe mbretit vdekatar të Spartës. Sipas rrëfenjës, fëmijët e saj përfshinin Helenen e bukur të Trojës dhe binjakët Kastor dhe Polluks.

Po ashtu, për publikun janë hapur edhe banjat qendrore dhe Shtëpia e Kupidëve të artë, që janë restauruar.

Është e paqartë kur Regio V, një hapësirë prej 21.8 hektarësh në veri të parkut arkeologjik që është gërmuar si pjesë e “Great Pompeii Project” të financuar nga BE-ja, do të jetë i qasshëm për publikun. Gërmimi, që nisi në fillim të vitit të kaluar, ishte më i thelluari që prej viteve ’60.

Një prej zbulimeve të fundit ishte një mural që paraqiste gladiatorë luftarakë. Murali ishte gjetur nën një mur, nën një kafaz shkallësh të asaj që më gjasë ishte një tavernë e frekuentuar nga gladiatorët dhe që ofronte akomodim në katin e sipërm për të fjetur me punëtore seksi.

Janë gjetur edhe mbetje njerëzore, përfshirë skeletet e dy grave dhe tre fëmijëve të bërë bashkë në një vilë, ashtu sikundër edhe mbetjet e një kali me shalë. /The Guardian /KultPlus.com

Të ngjajshme