19 Dhjetor, 2017 - 2:50 pm
Muzeu i Kosovës sot ka hapur një market me produkte unike të cilat janë punuar nga artistë bashkëpunëtorë të këtij muzeu, poashtu në këtë market u prezantuan edhe produktet e punuara nga programi edukativ “Muzeu Kreativ”, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Bizhuteri, kartolina, çanta, e shumëçka tjetër, disa prej tyre të lidhura edhe me motive tradicionale ishin shtrirë sot në tavolinat e katit të parë të Muzeut të Kosovës. Duke qenë se këto punime vijnë në prag të festave të fundvitit, përmbajtjet e tyre kishin edhe mesazhe pozitive e plot dashuri.
Artistet pjesëmarrëse të këtij marketi ishin Saba Ismajli, Vlora Hajrullahu, Ilire Lepaja, Mire Canolli dhe Ardita Begu.
Alisa Gojani- Berisha nga Muzeu i Kosovës, tregoi për KultPlus se kjo ide është baza fillestare pas së cilës do të hapet edhe një dyqan i muzeut dhe kjo është arsyeja se edhe ky aktivitet është titulluar “Museum shop”, derisa tregoi se momentalisht janë në kërkim të artistëve të cilët mund të bashkëpunojnë me Muzeun.
“Iniciativa të tilla si kjo na bëjnë të mendojmë që kohët e fundit kemi vepruar drejt në Muzeun e Kosovës, pasi që, e kemi ndryshuar konceptin e prezantimit, dhe kështu edhe do të vazhdojmë me programe edukative me fëmije dhe programe interaktive që së bashku me komunitetin ta promovojmë sa më shumë institucionin dhe trashëgiminë kulturore”, tregoi artistja Gojani.
Muzeu i Kosovës u prezantua sot me programin edukativ “Muzeu Kreativ”, që është një program edukativ ku punëtoret e muzeut së bashku më fëmijët e këtij programi kanë punuar aksesorë të ndryshëm ku motivet e tyre lidheshin me artefaktet që janë të prezantuara në këtë muze.
Gojani, poashtu tregoi se të ardhurat të cilat do të mblidhen nga ky aktivitet do të shkojnë për programe edukative të cilat do të mbahen në Muzeun e Kosovës për persona me nevoja të veçanta dhe kjo është edhe kauza që kishte bashkuar në një projekt të gjithë punëtorët pavarësisht pozitave të tyre në muze.
Derisa kaloje në panairin e këtij dyqani, vizitorët nuk mund të mos ndaleshin tek tavolina e pasur e artistes Saba Ismajli, e cila kishte shfrytëzuar çdo pjesë të hapësirës se saj për ta mbushur me bizhuteri të veçanta e shumëngjyrëshe. Punimet e saj janë të punuar kryesisht me bakër dhe gurë natyral, por duke përfshirë edhe pjesë të koleksioneve të reja të punuara me tekstil dhe me lëkurë.
“Është ndjenjë shumë e mirë të jesh pjesë e kësaj iniciative pasi që një pjesë e saj do të jetë si donacion për një kategori e cila është dhe nuk është e përkrahur. Çdo stoli që do ta blihet këtu për ta vendosur një femër, jo vetëm se do ta zbukuroi atë por edhe do të kontribuoj për një kategori të veçantë”, tregoi artistja Ismajli për KultPlus.
Jo shumë larg saj, vizitorët mund të hasin edhe në punimet unike të piktores Vlora Hajrullahu e cila kishte gërshetuar artin e saj në objekte të ndryshme të cilat po ashtu kanë një funksion të caktuar. Piktura, defi, arkat prej druri, e mullinjtë për mëlmesa ishin disa nga objektet të cilat përmbanin detaje të veçanta dhe të cilat mund të zbukurojnë sofrën apo ambientin e secilit.
Kurse artistja Ilire Lepaja kishte një mënyrë të veçantë për të sjellë punimet e saj në këtë fundvit, tavolina e saj ishte mbushur me kartolina të cilat përmbanin motive kombëtare dhe me motive të festave të fundvitit.
“Me këto produkte vizitorët do të marrin një pjesë të Prishtinës, një pjesë të Kosovës me vete dhe një copë historie, pasi që, punimet kanë përshkrime prapa dhe punimet janë relativisht të lira”, tha për KultPlus artistja Lepaja.
Të gjithë ata që duan të marrin diçka me vete nga këto punime unike dhe të kontribuojnë për një komunitet të rëndësishëm të shoqërisë, ky market do të qëndrojë i hapur deri më 21 dhjetor./ KultPlus.com