15 Qershor, 2023 - 2:03 pm
Sheshi “Italia” u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një pasarelë mode për finalen e “Muza Competiton”, ku u bënë bashkë krijues nga të gjitha trevat shqipfolëse.
10 finalistët shfaqën koleksionin e tyre në spektaklin që kurorëzoi si fituese Klara Kazanin me koleksionin “Nën vello”.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm në këtë aktivitet shprehu kënaqësinë që në kryeqytetin shqiptar realizohen kompeticione të tilla, që bëjnë bashkë shqiptarët.
“Pas asaj që ndodhi në Ukrainë me Rusinë, të gjithë kujtohemi se miqtë, sidomos fqinjët, nuk duhet t’i marrim për të mirëqenë. Ne jemi shumë krenarë për fqinjët tanë sepse ne shqiptarët rrethohemi nga tanët, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe ndaj sot jam shumë i lumtur që, për këtë fqinjësi, që është më shumë se sa fqinjësi, është gjaku ynë, ne kemi dedikuar këtë edicion. Jam vërtet krenar për presidenten Atifete Jahjaga, e cila na ka treguar se të drejtosh nuk do të thotë të provokosh, do të thotë të bashkosh, të dashurosh, të lidhësh njerëzit, jo të përçash njerëzit. Ndaj, jam vërtet krenar që sot kemi më të mirën e botës shqiptare”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku dha edhe një mesazh teksa iu referua një prej modeleve të “Muza Competition”.
“Modelja që mori më shumë duartrokitje nuk ishte modelja që kishte detyrimisht veshjen më të bukur, por ishte modelja që humbi këpucën dhe vijoi rrugëtimin. Për ne shqiptarët, nuk është i rëndësishëm mjeti, por destinacioni. Ajo modelja ishte shumë e qartë që destinacioni, misioni është më i rëndësishëm se sa mjeti. Ndonjëherë mund të shkojmë zbathur, ndonjëherë mund të shkojmë me këpucë, ndonjëherë mund të shkojmë me veshje sportive, ndonjëherë me veshjet më të çmuara, por destinacioni është shumë më i rëndësishëm se sa mjeti, që i çon shqiptarët atje ku duhet, në familjen evropiane”, tha Veliaj.
Andriola Kambo, drejtore Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon tha se “në udhëtimet e mia të shpeshta pata fatin të takoja nënë Tolen në komunën e Tuzit, një grua e moshuar që mbante ende gjallë trashëgiminë tonë kulturore dhe punonte xhubletën, më inspiroi. Këtu nisi dhe “Muza” që të bashkonte tre komponentët kryesorë inovacionin, turizmin dhe ekonominë krijuese. Në këtë edicion 1150 aplikime dhe në këto 1150 aplikime sot kemi 10 finalistët tanë. Vjet kishim 350 aplikime dhe patëm 10 finalistë”.
Mes të ftuarve, ishin edhe personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar dhe të botës së ekranit. “Muza Competition” është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetësimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajn.
Në këtë edicion, më shumë se 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, aplikuan për të qenë pjesë e finales së madhe të “Muza Competition”./ atsh / KultPlus.com