4 Qershor, 2022 - 5:00 pm
“Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë.
Ekspozita përmban rreth 91 fotografi nga jeta e përditshme, nga trashëgimia kulturore, zejtaria dhe shumë fusha të tjera.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, theksoi: se “është një kënaqësi e veçantë që në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive, të hapim këtë ekspozitë”.
“Në mars të këtij viti, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, çelëm ekspozitën “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”. Kjo është ekspozita e dytë, e cila na sjell një pjesë të rëndësishme të memories urbane dhe pjesë që ndoshta mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërtërihem. Përshëndes stafin, i cili me punën e bërë tregoi edhe njëherë që kultura nuk njeh kufij”, tha Koçi.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili ndër të tjera tha se “pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me rastin e festave, kjo është ekspozita e parë e çelur në Shqipëri nga Sektori i Etnologjisë së Muzeut Kombëtar të Kosovës”.
“Kjo ekspozitë flet më tepër sesa ne mund të flasim”, shtoi Leci.
Vizitorit, përmes kësaj ekspozite, i ofrohet mundësia e krijimit të imazhit për mjedisin kulturor kosovar në aspektin diakronik dhe sinkronik, me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë kulturore.
Përmbajtja e këtyre fotografive, vizitorëve i’u ofron mundësi të shumta informimi, si për: mjedisin kulturor; arkitekturën tradicionale; veglat dhe mjetet e punës të sektorit primar dhe të zejtarisë; për disa zeje në shuarje ose tashmë të shuara; për veshje tradicionale dhe të kohës në proces; për forma tradicionale të punës në bujqësi; për poçarinë tradicionale, mënyrën e të kënduarit me gisht në fyt, nga vajza drenicake, tash e sa vite i harruar në traditën e kësaj krahine; lojëra tradicionale të fëmijëve; për tregjet e organizuara në qendra të ndryshme, etj.
Ekspozita është kuruar me mjaft profesionalizëm nga kuratorët: Besarda Reçica, Fahri Sheqiri dhe Arberina Mataj. /atsh/ KultPlus.com