30 Janar, 2023 - 12:10 pm
“Hapësira e Përpjekjes Politike: Miniera e Trepçës 1989” është ekspozita e cila pritet të hapet së shpejti në kryeqytet.
Ekspozita niset nga përkushtimi për të kuptuar format e reja të angazhimit politik që gjetën artikulim gjatë grevës së minatorëve të organizuar nga 20 deri më 28 shkurt, 1989. Nëntoka ishte hapësira e përpjekjeve të tyre politike dhe lokacioni nga ku ata krijuan një marrëdhënie tjetër me atë që ishte duke ndodhur politikisht mbi tokë.
Ndërtimi i arkivit të hapur dhe të qasshëm me intervista të historisë gojore me minatorët e përfshirë në grevë ishte pikënisja e hulumtimit. Arkivi gjeneroi një shumësi zërash dhe këndvështrimesh që udhëzuan narrativën mbi ngjarjet që çuan drejt grevës, ndërsa bashkëbisedimet e detajshme me minatorët informuan konceptin e ekspozimit.
Ekspozita e cila do të hapet më date 1 shkurt, në ora 18:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës, vjen e kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe hulumtuar nga Renea Begolli, Anita Susuri, Korab Krasniqi dhe Erëmirë Krasniqi.
Video montimi është realizuar nga Renea Begolli, ndërsa dizajni nga Nita Salihu Hoxha, Studio Permanent.
Hulumtimi dhe ekspozita mbi Grevën e Minatorëve 1989 është realizuar në partneritet ndërmjet Iniciativës për Histori Gojore dhe forumZFD programi në Kosovë, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe National Endowment for Democracy (NED). / KultPlus.com