14 Qershor, 2018 - 10:00 am
Muzeu Marubi, në ekspozitën e radhës do të sjellë një retrospektive kushtuar punës së fotografit Angjelin Nenshati (Shkodër,1929 –2008), shkruan KultPlus.
Ekspozita |Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, vjen si rezultat i programit të ekspozitave “Archive Reloaded” ku vëmendja është e orientuar në koleksionet e paekspozuara më parë për publikun.
Ajo orientohet në dy drejtime: në periudhën e diktaturës komuniste dhe në atë të tranzicionit të viteve ’90. Në të dyja këto periudha, në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm.
Këtë pozicion të disiplinuar në marrëdhënie me momentin e pranishëm e perceptojmë gjithashtu edhe në ndryshimet e mëdha politike të vendit në vitet ’90, ku përmbysjet social-politike të lartpërmendura e transformojnë totalisht natyrën gjithnjë e më dramatike që merr ngjarja e çliruar nga inskenimi.
Ekspozita është bërë e mundur edhe falë kontributit të djemve të fotografit Angjelin Nenshati, të cilët vendosën në dispozicion të saj, imazhe nga koleksioni fotografik familjar i periudhës së pas viteve ’90.
Kjo ekspozitë restrospektive vjen e kuruar nga Luçjan Bedeni e Lek M. Gjeloshi. Ekspozita “Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, hapet më 22 qershor duke filluar nga ora 19:00./KultPlus.com