Nadira Kika sjellë koleksionin e ri në sezonin e saj të preferuar për krijim (FOTO)

29 Tetor, 2018 - 10:42 pm

Jeta Zymberi

Disenjatorja Nadira Kika, ndonëse nuk ka shumë kohë prej që ka filluar të sjellë rregullisht koleksione pothuajse në çdo sezonë, ajo ka arritur të unifikohet në mesin e dizajnerëve më të mirë në vendin tonë, kjo falë punës plot vullnet dhe mjaftë të veçantë në realizimin e kreacioneve.

Tashmë, Kika ka sjellë edhe koleksionin e saj më të ri të titulluar “Resort 2019”, i cili qysh në shikim të parë të rrëmben me thjeshtësinë dhe rëndësinë që përmban njëkohësisht.

Kika ka folur për KultPlus rreth këtij koleksioni për të cilin ka punuar me shumë dëshirë, pasi vjeshta është edhe stina e saj e preferuar për krijime të tilla.

“Çdo punë që bëhet me vullnet dhe me pasion besoj që i zvogëlon vështirësitë, gjithashtu këto lloj veshjesh më burojnë nga shpirti dhe është sezona ime e preferuar për të krijuar. Jam e kënaqur me gjithçka që kam arritur deri tani, pasi që edhe kam filluat të cilësohem si një nga dizajneret e pakta që realizojnë veshje të përditshme e që në realizim janë më të vështira se sa fustanet dhe kanë më shumë prerje dhe detaje”, ka thënë për KultPlus disenjatorja Kika.

Por për të krijuar diçka të bukur, njeriu padyshim që inspirohet nga diçka gjithashtu e bukur, qoftë ajo ndjenjë , objekt apo diçka tjetër. Kika është shprehur që inspirimi i vjen shumë spontanisht, nga çdo gjë që e rrethon.

“Më frymëzon edhe një ditë e bukur me diell, edhe energjia pozitive e klientëve, më frymëzojnë edhe vizitat nëpër vendet Europiane. Por kur filloj realizimin e koleksioneve kryesisht filloj me ngjyrat sezonale dhe llojet e materialeve. Kryesisht kështu fillon e gjithë historia e çdo koleksioni”, ka treguar tutje ajo.

“Resort 2019” përmban veshje të përditshme dhe publikohet para sezonës Pranverë – Verë 2019 e që ka një numër më të vogël veshjesh nga 15 deri 25 veshje.

Në këtë koleksion dominon ngjyra e verdhë, jo rastësisht, por për faktin që kjo është edhe një ndër ngjyrat e sezonit që po na rrethon, andaj Kika ka arritur ta kombinojë të verdhën me të tjera ngjyra, për të sjellë kështu një “vjeshtë” tek kreacionet e saj.

“Njëra ndër ngjyrat e kësaj sezone është e verdha ose ndryshe është “Aspen Gold” d.m.th një e verdhë e zbehur. Kjo ngjyrë është tendencë e këtij viti kështu që e kam pa të arsyeshme që ta fus në koleksion si pikë të fortë. Gjithashtu edhe ngjyra qumësht është njëra ndër ngjyrat kryesore të koleksionit për ta balancuar pak kompozicionin mes ngjyrave. Ngjyrat tjera të cilat i kam përdorë janë e gjelbërta, krem, kafe dhe hiri. Zakonisht mundohem të përdorë ngjyrat bazë të cilat nuk jemi mësuar t’i shohim gjatë sezonit të dimrit. Mundohem që përmes koleksionit të sjellë ngjyra të guximshme dhe jo monotone”, ka treguar disenjatorja.

Përmes këtij koleksioni Kika ka menduar të sjellë diçka të re edhe çka mungon në qytetin tonë, gjithashtu të ekspozojë një pjesë kreative të sajën atë çka ajo di ta bëj më së miri, të krijoj veshje të përditshme me prerje dhe detaje të ndryshme. Të sjellë pallto me prerje të ndryshme e që kësaj here kryesisht janë të gjata. Gjithashtu të ju sjellë klientëve veshje unike edhe me një stil më ndryshe qofte edhe për fustane edhe për pallto.

Ky koleksion përmban gjithsej 15 veshje. Janë 5 pallto dhe kryesisht janë fustane dhe këmisha të cilat mund të vishen gjatë ditës por edhe në mbrëmje e që janë shumë komode qoftë edhe në prerje edhe në materiale.

Ky koleksion është prezantuar nga një fotosesion i realizuar nga fotografi Shenoll Zehri, ndërsa kreacionet janë shkrirë për mrekulli në trupin e modeles Dhurata Lipovica. Ndërsa nëse Kika e ndjen vetën të gatshme për një sfilita, ajo është përgjigjur se ajo është një ëndërr të cilën pret ta realizojë në momentin e duhur dhe në mënyrën e duhur.

“Mendoj që ka kohe edhe pak për të sjellë sfilat, sepse e mendoj që momenti i sfilatës duhet me qenë diçka speciale edhe duhet me qenë e menduar deri në detajin e fundit. Edhe disa vite do vazhdoj t’i publikoj në këtë mënyrë koleksionet e mia përmes photoshooting, deri sa të shoh që është momenti i duhur për sfilaten të cilën e kam ëndërruar gjithmonë”, ka thënë krejt për fund disenjatorja Nadira Kika./KultPlus.com





Të ngjajshme