25 Tetor, 2021 - 7:44 pm
Prej disa ditësh në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në lagjen piktoreske Ulpiana në Prishtinë, mes gjelbërimit dhe ndërtesave karakteristike, piezazhit të pjerrët dhe godinave hijerënda e pakëz futuriste të gjysmës së dytë të shekullit XX, është hapur sakaq një ekpozitë tepër e veçantë, me emërtimin kuptimplotë “Naked Eye”.
Bëhet fjalë për ekspozitën vetjake të piktores Qëndresa Krasniqi, e cila është takuar me publikun artdashës me një sërë pikturash ku shpaloset, pikërisht e zhveshur për syrin artistik, pothuajse gjithë bota e saj të brendshme dhe frymëzimet e saj burimore, që kanë gjetur ravijëzimin e duhur përmes tablove të krijuara prej saj, ku vizitorët dhe ithtarët e pikturës së mirëfilltë, mund të hasin krejt larminë e universit ku autorja ka përthithur nektarin që më tutje është shndërruar në secilën prej pikturave të saj.
Në muret e mjediseve të brendshme të KultPlus Caffe Gallery, një vend (dhe gjithashtu portal letrar e artistik) që tashmë nënkupton vetvetiu cilësinë në art dhe letërsi në çdo kuptim, varen një sërë pikturash të ngjizura në telajo me ngjyrat e vajit, që nga piktorja Qëndresa Krasniqi janë përdorur pa kursim, herë me penel, herë mbase edhe drejtpërdrejt me duar të zhveshura, duke ndërthurur një ylber tematikash jetësore që shpërfaqen me ngjyrime të gjalla, nëpërmjet metaforave pamore, duke pasqyruar përherë besnikërisht edhe gjendjet shpirtërore të autores.
Tablotë që syri ynë i zhveshur kundron në këtë ekspozitë, na ofrojnë një diapazon gjithëpërfshirës të botës së filtruar artistikisht përmes syrit thelbësisht femëror të autores së tyre, e cila ia del mbanë përkryer që t’i shndërrojë mbresat e saj vegimore, në diçka tejet të pashlyeshme, siç janë pikturat ku galaksitë, qiejt, nuancat ujore, siluetat trupore, kornizat që duhen kapërcyer, njëlloj siç nevojitet të thyhen edhe barrierat mendjengushta mendësore (në art dhe jetë), shfaqen të gjitha si fryte të çmuara të frymëzimit të saj të pashtershëm.
Ndoshta nuk është rastësi që “Naked Eye” është përzgjedhur nga autorja si emërtim për ekspozitën e saj, ngaqë kjo fjalë është njëfarë sinonimi i padyshimtë i kësaj ekspozite, sepse edhe vetë arti i këtillë është, i zhveshur nga tepricat e padobishme, i zhveshur nga paragjykimet, i zhveshur nga kotësitë.
Pa qenë nevoja ta cilësojmë si impresionizëm, realizëm, onirizëm ëndërrimtar artistik, sidoqoftë piktura e krijuar nga Qëndresa Krasniqi, meriton pikësëpari përgëzimet tona më të çiltra si artdashës për mënyrën unike si është ngjizur dhe përvijuar në secilin krijim të sajin në tablo, ngase tashmë arti pamor në Kosovë, fiton një artiste të mirëfilltë.
ELVI SIDHERI
Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com