15 Mars, 2024 - 12:49 pm
Është ndarë nga jeta piktori dhe shkrimtari, Remzi Limani.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë djali i tij, Uran Limani i cili është shprehur se ai ka qenë forca dhe mbështetja e tyre për gjatë gjithë jetës.
“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot nderroi jetë më i dashuri ynë, babi Remzi Limani.
Babi, ke qenë forcë dhe mbështetje për ne gjatë gjithë jetës. Ne vazhdojmë të fortë të ruajmë kujtimin për ty!
Për kohën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, ka shkruar Urani.
Remzi Limani (1955) u lind në Shalë të Drenicës. Pas fillores në Prishtinë, mbaroi shkollën e artit në Pejë dhe më pastaj u diplomua në Fakultetin e Arteve, Dega e Dizajnit në Universitetin e Prishtinës.
Në krijimet artistike, kryefjalë dhe kallëzues i ka artet e bukura me intensitet të ndryshëm përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore dhe muzikës artistike. Në të gjitha këto krijime, Remziu ruan baraspeshën e arsyes që arti që shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës.
Për punën e tij krijuese në fushën e arteve figurative dhe aplikative, zënë vend trembëdhjetë shpërblime e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Në vitin 1999 nga Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës” u nominua kryetar artistik për Kosovë. Deri më tash ka të realizuara dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali dhe një me karakter humanitar në Namibi. Nga fusha e letërsisë ka të botuara 13 vepra. Nga këto dy romane. Libri me poezi “Tinguj të humbur” (Sonete Pierdute) i është përkthyer në gjuhën rumune, Bukuresht 2010. Po ashtu, poezia e tij është përfshi edhe në antologjinë poetike “Pagjumësia e fjalëve” (Insomnia cuvintelor) e botuar në gjuhën rumune, Bukuresht, 2010. / KultPlus.com