4 Shtator, 2017 - 7:13 pm
E enjtja e kësaj jave do ta gjejë qytetin Plovdiv në Bullgari me një ekspozitë interesante.
“Migrations of Fear” vjen si reagim ndaj situatës aktuale politike por edhe realitetit social në Europë. Vala e refugjatëve, sulmet terroriste, siguri minimale, krizë e skajshme humanitare, lëvizje djathtiste që po e dëmtojnë mirëqenien e qytetarit, po e bëjnë Evropën një vend të tmerrshëm për jetë.
Me 12 fotografi të 12 ndërtesave kufitare të shteteve të Shengenit të BE-së, pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe artisti Alban Muja, me punën artistike “Borders Without Borders”.
Në ekspozitën “Migrimet e frikës”, Muja ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin.
Nga njëra anë, një ndërtesë kufitare është ende funksionale kur hynë nga një shtet jo-Shengen në një shtet Shengen. Nga ana tjetër, brenda vetë zonës së Shengenit, ndërtesa të tilla kufitare janë konfiskuar për t’i shërbyer ndonjë qëllimi tjetër. Për ata njerëz që janë të kufizuar nga liria e lëvizjes, ndërtesa të tilla përfaqësojnë shumë më tepër sesa vetëm një prani fizike – ato mund të sjellin kujtimet e refuzimit, vështirësive dhe dhimbjes dhe shumë njerëz sot zgjedhin të marrin rrugë të paligjshme për të kaluar ndarjet kufitare.
Artistit kosovar, në ekspozitën e cila vjen si pjesë e projektit të Plovdivit si Kryeqytet Evropian i Kulturës 2019, do ti bashkohen edhe artistët Azra Aksamija, Nika Autor, Lana Cmajcanin, Petya Dimitrova, Fanni Futterknecht, Emil Mirazchiev, Oliver Ressler, Kamen Stoyanov, Ute Richter, Borjana Ventzislavova & Mladen Penev dhe Clara Wildberger, të përzgjedhur nga kuratorët Ilina Koralova dhe Boris Kostadinov, shkruan KultPlus.
Artistët janë angazhuar të shpalosin inspirimin e tyre rreth frikës nga varfëria, nga statusi social, frikës nga e njohura dhe e ndryshmja dhe frikës së të humburit të lirisë personale.
Artisti ka treguar për KultPlus se projekti është ende në proces dhe nuk ka përfunduar i gjithi. E njëjta punë artistike është momentalisht pjesë e Autostrada Biennale në Prizren ndërsa ekspozita “Migrations of Fear” do të hapet më pas edhe në Lajpcig dhe në Slovenj Gradec. / KultPlus.com
Fotoja kryesore: Pranvera Muja