31 Gusht, 2017 - 8:14 pm
Ekspozita “Grabitqari i bukurisë së natyrës” sjellë pas 27 vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve piktorin e shquar Qamil Grezda. Kjo ekspozitë është një retrospektive e artistit me rastin e 100-vjetorit të lindjes.
Ekspozita përfshin edhe disa objekte personale të piktorit dhe vjen e kuruar nga Olsen Gripshi.
Ekspozita e cila u hap sonte, përbëhet kryesisht nga koleksioni i familjes i ruajtur nga i biri Ermir Grezda, por ekspozitës i janë shtuar edhe 12 vepra nga Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, ku sipas drejtorit Artan Shabani në këtë fond janë rreth 30 vepra të Grezdës.
Përmes retrospektivës, por edhe veprave të paekspozuara më parë, publiku njohu artin e tij në teknikën e pastelit, por edhe vizatimet në letër apo thasë kafeje, që artisti i realizonte kur nuk mund të siguronte kanavacën. Për publikun do të jenë të prekshme edhe objektet origjinale të vetë artistit si: xhaketa, apo kapelet të cilat mbante kur pikturonte në natyrë, kavaleti, valixhja me penelat e bojërat, ditari vetjak dhe maska në allçi e piktorit fill pas vdekjes së tij.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 10 shtator.
Piktori Qamil Grezda ka lindur në Gjakovë në maj të vitit 1917 në një familje misionare patriotike. Familja e tij u largua nga Kosova për shkak të politikës diskriminuese serbo-sllave. Grezda shquhet për kreativitet të lartë shprehës, ku dallohen portrete si “Romania”, “Portret plake”, “Portret gruaje”, “Shkodrani” e të tjera. Ai shquhet edhe për pikturimin e figurave historike, si “Bajram Curri”, “Isa Boletini”, “Gryka e Kaçanikut”, “Lidhja e Prizrenit “ “Hasan Prishtina”, etj. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 33 vepra të tij. Dhe, për punë kreative tejet të ravijëzuar, piktori Grezda u shpërblye me shumë shpërblime e me mirënjohje të veçanta. / KultPlus.com