21 Prill, 2022 - 6:31 pm
U hap sot në hapësirat e Arsenales në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, pavijoni shqiptar, prezantuar me artisten Lumturi Blloshmi, kuruar nga Adela Demetja.
Në këtë edicion të 59-të Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më.
Ceremoninë e hapjes e përshëndeti ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndër të tjera u shpreh se “Lumturi Blloshmi është simboli i tejkalimit. I tejkalimit të çdo lloj vështirësie që të përball jeta.
“Lumturi Blloshmi është simbol i brezit të vet, që krijoi në një periudhë të egër për artin e më pas u përballën me ndryshimet e sistemeve politike, që i detyronin të vraponin për të kapur kohën e humbur nën diktaturë”, tha ministrja.
Margariti e cilësoi ekspozitën një copëz autentike shqiptare, që i prezantohet botës si një histori personale, por edhe si përfaqësuese e një brezi artistësh, që tejkaluan barrierat e regjimit, duke filluar çdo herë nga e para.
“Jam e kënaqur që këtë vit kemi në Bienale një skuadër më së shumti femërore, paraprirë nga Lumja, te Adela e stafi që bënë të mundur ngritjen e këtij pavijoni, në një format, që aq sa zbulon aq edhe na lë shijen e misterit dhe dëshirën për të zbuluar më shumë mbi botën e një artisteje; që i rri më së miri konceptit të përgjithshëm të këtij edicioni, që kurohet nga Cecilia Alemani, e para grua italiane në këtë pozicion kaq të rëndësishëm”, u shpreh Margariti.
Ndërsa kuratorja Adela Demetja u shpreh se asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur, që do të thotë promovimin e veprës së Lumturi Blloshmit.
“Lumja na ka lënë një arkiv shumë të pasur, e shtrirë në një periudhë të gjatë kohore. Na ka lënë vepra, dorëshkrime, letra, përmes së cilave kuptojmë botën e saj dhe kontekstin ku ajo jetoi”, tha Demetja.
I pranishëm ishte edhe nipi i artistes, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh se Lumja “u martua me artin e saj”, jetoi për të dhe tejkaloi të gjitha pengesat që i përballi jeta.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë artistë e artdashës nga Shqipëria e Kosova dhe pavijoni shqiptar u vizitua nga personalitete të artit dhe kulturës botërore.
Artistja Blloshmi u nda nga jeta në vitin 2020 për shkak të COVID-19.
Pavijoni
Puna ndër vite e Lumturi Blloshmit dhe koncepti kuratorial e vendos Pavijonin Shqiptar brenda kuadrit politik, artistik dhe konceptual të edicionit të 59-të të Bienales së Venecias dhe diskursit aktual të artit bashkëkohor.
Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge.
Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht publiku qaset në botën personale dhe mjedisin krijues të Blloshmit, përmes një arkivi virtual, të krijuar në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual Alexander Walmsley.
Atmosferën e plotëson një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën dhe qenien e saj. Sipas kuratores Demetja, dokumentari është në vetvete një lloj vepre artistike e bashkëkrijuar nga mendimet/veprat/imazhet e Lumturi Blloshmit dhe nga regjisori meksikan Tin Dirdamal.
Skuadra e Pavijonit Shqiptar:
Kuratore: Adela Demetja
Asistent kuratore: Eni Derhemi
Artist i Realitetit Virtual: Alexander Walmsley
Regjisor: Tin Dirdamal
Arkitekte e ekspozitës: Johanna Meyer-Grohbrügge
Këshilltare e Pavijonit: Vivien Trommer
Përfaqësues ligjor i Lumturi Blloshmit: Ervin Blloshmi
Komisioner: Ministria e Kulturës së Shqipërisë /atsh/ KultPlus.com