9 Maj, 2018 - 11:01 pm
Alberina Haxhijaj
Gratë në Kosovë me vite besëtytnitë e tyre i kanë shfaqur përmes punimeve.
Vite më parë kur rrobat bëheshin nga gratë e familjes, Dielli dhe Hëna dhe elemente të tjera nuk mungonin në punët e tyre. Madje ato ngulnin këmbë që anëtarët e familjes të mbanin hajmalia, një dhëmb ujku apo një dhëmb qengji, diçka të kaltër, apo një gjarpër të punuar me rruza, e disa edhe fije të kashtës. Gjithë kjo pasi ato besonin që këto do i mbronin anëtarët e familjes të cilët i kishin për zemër.
Mirëpo të gjitha këto elemente jo vetëm që e bënin më të bukur punën e tyre, mirëpo edhe nxjerrnin në pah kulturën e vendit dhe besëtytnitë e popullatës.
Një kulturë që është përcjellë prej gjeneratës në gjeneratë, elemente të ndërlidhura me karakteristika pagane e që i kanë lënë çdo herë mbresa Nexhmi Bardhit, koleksionuesit të punimeve, u prezantuan sonte në një ekspozitë interesante në Galerinë Qahili në Prishtinë.
Qorapa, hajmalia, shami të kokës, dorëza, jelekë, qilima, shoka (kollana), byzylyk të dorës, qafore ishin vetëm disa nga punimet që u prezantuar në ekspozitën “Aura”, shkruan KultPlus.
Ekspozitë të cilën vetë Bardhi e quan ‘ekspozitë të gjysheve dhe nënave tona’, kjo pasi që sipas tij të gjithë mund të kujtojmë nënën apo gjyshet tona teksa kanë qepur punime të tilla apo na kanë treguar për fuqinë dhe mbrojtjen që të ofron dhëmbi i ujkut apo elementet tjera.
“Kjo ekspozitë është kryesisht ekspozitë e gjysheve tona. Është interesante, pasi është vetëm e grave çka do të thotë se historikisht gjyshet tona kanë qenë shtylla e shtëpisë. Këto janë eksponate të punuara me dorë dhe në kohën kur janë punuar nuk ka pasur mjek, rrobaqepës, pra të gjitha punët i kanë bërë nënat tona. Ndërsa kësaj here i kam paraqitur vetëm simbolet e shenjat, e që paraqesin një dashuri ekstreme të nënave ndaj fëmijëve të tyre”, tha Nexhmi Bardhi për KultPlus duke shtuar se këtu paraqiten vetëm 10% e eksponateve që ai posedon.
Karakteristika më e bukur që hulumtuesi ka gjetur është fakti se secila vajzë kur është bërë nuse ka mbajtur ngjyrën e kaltër.
“Ngjyrë e cila për ne është e para. Nuk ka nuse e cila nuk ka pasur një kalavesh të kaltër. Pastaj një karakteristikë tjetër është e që nuk besoj që e kanë të tjerët është edhe fakti se dy ekspozita i kanë bërë gratë e popullit tonë”, tha ai duke sqaruar se gratë shqiptare ekspozitën e parë e kanë pasur kur kanë ekspozuar punimet e tyre para martesës “paja” apo “çejzi” dhe pas martesës kur punëdoret e tyre i kanë ekspozuar në shtëpinë e burrit.
“Kur i shikoni këto eksponate e vëreni që ato ju takojnë krejt Kosovës. Gratë i kanë punuar me dorë dhe janë eksponate të përgjithshme e që më shumë ju takojnë viseve rurale”, sqaron Bardhi i cili tregon se këtë punë e ka trashëguar edhe vetë nga nëna e tij.
Një grua e fortë e cila ka jetuar 91 vite dhe që gjatë këtyre viteve dashurinë për këto punime e ka kultivuar edhe te biri i saj i cili më pas studioi për dizajn dhe punoi si profesor. “Në familjen time nuk ka pasur artist përveç nënës sime e cila me punën e saj për 91 vite ka qenë artiste”, theksonte me krenari ai.
Në anën tjetër me këtë ekspozitë shënohen edhe 5 vite punë që nga themelimi i Galerisë Qahili. Nita Qahili tregoi se kjo ka qenë një rrugë e gjatë mirëpo e cila ka përfunduar shumë shpejtë pasi prapa saj ka pasur rezultate dhe kujtime shumë të bukura.
“Para pesë viteve kemi qenë me stres. E kemi ditë çka po dojmë prej Galerisë, çka kemi me investuar në art mirëpo jo edhe sa ka me funksionu puna jonë. Për këto pesë vjet kemi pasur aktivitete të ndryshme artistike, kemi sjellë artistë ndërkombëtarë, kemi promovuar artistë të rinj, dhe shumë aktivitete të tjera”, tha ajo për KultPlus.
Ekspozita “AURA” do të qëndrojë e hapur në Galerinë Qahili deri më 16 maj. / KultPlus.com