7 Shtator, 2019 - 8:35 pm
Një konteshë dhe shkrimtare, krekoset solemnisht në tablonë e Federico de Madrazo y Kuntz.
Amalia de Llano Dotres, Konteshë e Vilches Amelia Vilanova de Nadal, vepër e piktorit spanjoll Federico de Madrazo, e datuar më 1853. Është shumë e bukur.
Ndoshta vetëm kaq nuk mjafton, por gjithçka që mund të thuhet për këtë tablo është një përjetim përshkues të asaj që percepton shqisa jonë e të parit dhe rreket të jetësojë njohja jonë që kapërcën kohërat dhe ndalon atje në atë ambient mondan spanjoll, ku kjo kontesha është ulur në një kolltuk të shkëlqyeshëm dhe imponon një ceremonialitet hijeshues. Figura e saj e ndezur dhe vezulluese, në dhomën me hije, duket sikur piktori ka derdhur dritë nga këndi i shikimit të tij. Ky portret tërheqës ka një frymëmarrje të tendosur franceze. Dallojmë ndikimin e qartë nga punët e Ingres. Ajo është larguar nga kufizimi i ashpër i traditës Spanjolle, për ti dhënë një dimension të ri shprehës impresionit. Është një kumt i ngrohtë mesdhetar, i mbuluar nga një hijeshi solemne.
Madrazo nxjerr në pah rininë e konteshës, freskinë dhe tejpamësinë e hirit të saj. Amalia de Llano (29 prill 1822 – 6 korrik 1874), jo vetëm një konteshë por dhe një shkrimtare spanjolle, në atë kohë që piktori e ka përjetësuar ishte 32-vjeçe. Bukuria e saj, shikimi joshës dhe bardhësia prej porcelani e lëkurës, vijnë nëpërmjet penelatave të mjeshtrit kaq të gjalla dhe përshkuese. Efekti sensual është rritur nga rrobat dhe poza e saj, të denja për një konteshë. Kokë e ngritur pak, duke u mbështetur në dorën e djathtë e derdhin këtë hir në një gjëndje ngasëse meditative. Mund të lexohet qartë çdo detaj i këtij momenti solemn, që dominohet nga veshja madhështore dhe e kaltra prej një deti të dalldisur. Çdo gjë në paraqitjen e saj është e kuruar me një kujdes të admirueshëm. Një shpurë e tërë oborrtarësh duhet të kenë qenë gozhduar mbi këtë fokus që shohim ne sot. Asgjë nuk tolerohet. Gjithçka duhej dhe piktori e ka evidentuar këtë, të ishte perfekt.
Piktori, Federico de Madrazo y Kuntz (9 shkurt 1815 -10 qershor 1894 ) mësimet e para i mori nga babai i tij.
Ndërsa ndiqte mësimet në Akademinë Mbretërore të San Fernando, ai realizoi tablonë e tij të parë, “Ngjalljen e Krishtit” (1829), e cila u ble nga Mbretëresha Kristina. Jo shumë kohë më pas, ai pikturoi “Akilin në çadrën e tij”, më pas paraqiti në Akademinë “Vazhdimësia e Skipios”, e cila i siguroi atij pranimin si anëtar “për merita”.
Ai mori “Legjionin e Nderit” më 1846. U bë një anëtar i Académie des Beaux-Arts, më 10 dhjetor 1853, dhe në 1873, me vdekjen e Schnorr, piktor, ai u zgjodh anëtar i huaj. Tre vjet pasi babai i tij u largua nga detyra, ai gjithashtu u bë Drejtor i Museo del Prado dhe president i Akademisë së San Fernando . Vdiq në Madrid. /Albert Vataj /KultPlus.com