9 Korrik, 2024 - 10:01 pm
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita personale “Udhët që më njohin” e artistit Rron Qena, kuruar nga Lulzim Zeqiri.
Filozofisë së tij artistike Rron Qena i rri gjithmonë pranë, duke e formuar nga afër karakterin bashkë me veprat e tij. Nga ky qëndrim ai përsosë stilin e shprehjes figurative dhe qasjes së tij origjinale në pikturë. Akti krijues brenda kornizës së pëlhurës, nëpërmjet tregimit të guximshëm personal synon thellësitë e përjetimit, si përvojë, si kujtesë, si ftesë për komunikim ndërnjerëzor. Muza e tij mbetet gjithmonë bindja e tij për të bukurën, si model nga i cili nuk i shmangë sytë.
Kapjet e momenteve plotë jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë apriori vrojtime dhe përceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Është reflektimi elokuent karshi motivit dhe elementeve të cilat e bëjnë peisazhin urban, apo pasqyrojnë psikologjinë e portretit në punimet e tij. Ky observim i kujdesshëm i marrëdhënies së gjatë me hapësirën dhe kohën e forcon intuitën e tij krijuese kudo që ai gjendet. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe e përbën sintaksën vizuele të pikturës së tij.
Rrugët e Prishtinës, Berlinit, Shkodrës, Bremenit, nuancë pas nuance shtrohen në pëlhurën e tij, për të na shpier në një gjeografi që nuk vijëzon kufi, e cila na merr me vete në udhëtim për të parë dhe ndjerë forcën e imagjinatës dhe pasurinë e botës së artistit. Në këto udhëkryqe lagjesh e metropolesh përparësi merr fryma e njeriut të lirë, njeriu i cili mezi shihet në labirinthin e qytetit, në mes makinave dhe kaosit, por që e dijmë se diku pas fasadave apo nën hije të parqeve ai vazhdon të shkruaj fatin e tij. Këtij njeriu të lirë pikturat e Rron Qenës i japin shpirt bohemi dhe e nxjerrin jashtë mbrëmjeve të dal me shokët, të hapërojnë të dehur nën ritmin e perkusioneve, udhëve dhe vendeve ku emërtimet nuk kanë rëndësi.
Ekspozita hapet më 17 korrik, në ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com