29 Nëntor, 2017 - 7:02 pm
Me rastin e 28 nëntorit, është hapur mbrëmë në Gostivar ekspozita artistike ‘Çmimi i Nëntorit’.
Ekspozita mbarëkombëtare e artit pamor e cila u organizua nga Shoqata e Artistëve Figurativ “Draudacum” me seli në Gostivar në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë në Gostivar, me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës, ekspozoi veprat e 40 artistëve shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova.
Pos punimeve, në këtë natë nuk munguan edhe çmimet për më të mirët e disa kategorive.
Çmimi Draudacum për fotografi i shkoi fotografit Burim Myftiu, ndërsa ai për grafikë shkoi për Ridvan Alitin nga Kumanova. Çmimin Draudacum për pikturë e morri Zenun Sherifi ndërsa ‘Çmimin e Nëntorit’ e fitoi Hajrush Fazliu, kurse atë për skulpturë e fitoi Naim Iseni.
Ekspozita tradicionale “Çmimi i Nëntorit” organizohet me rastin e Ditës së Flamurit për të promovuar vlerat artistike të artistëve të artit pamor në përgjithësi, shkruan KultPlus.
“Interesi kaq i madh i artistëve nga të gjitha trevat kulturore shqiptare, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, dëshmon se kjo shoqatë është rritur dhe është formuar si epiqendër е artistëve shqiptarë, fortesë ku kultivohet dhe zhvillohet arti pamor, strehimore e vlerave të dëshmuarа, por edhe mundësi për artistët e rinj të cilët shkëndijat artistike kanë filluar t’i rrezatojnë nga kjo shoqatë, po ashtu edhe rritjen e tyre individuale” tha mes tjerash në hapje Reshat Ahmeti – kryetar i “Draudacum”.
Në këtë ekspozitë defilojnë artistë të rëndësishëm të kohës dhe me relevancë artistike, ndërsa këtë e argumenton edhe prezenca e veprave të emrave të rëndësishëm dhe të dëshmuar me cilësi vendore dhe botërore të artit figurativ shqiptar. / KultPlus.com