7 Mars, 2019 - 6:00 pm
“Një Komb, një Abc” titullohet ekspozita që u hap për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës, me rastin e 7 marsit, e cila organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin: Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido, Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizimit në Bashkinë e Tiranës znj. Mirela Koçollari, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe mësues dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit.
Ekspozita përmban foto dhe dokumenta të rralla të Kongresit të Manastirit, i cili ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë ishin Luigj Gurakuqi, Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës, Taqi Buda, Gjergj Zavalani. Në këtë ekspozitë mund të shihni dhe mjaft fotografi dhe dokumente të tjera.
Kjo ekspozitë është paraqitur përpara publikut në Festimet Qendrore të 110-vjetorit të Kongresit të Mastirit, të zhvilluara në Shkup. Ekspozita vjen në Tiranë për herë të parë në ambientet e Kalasë së Tiranës, ku do të mirëpresi deri më datë 14 të gjithë vizitorët./albarchive.gov.al/ KultPlus.com