20 Nëntor, 2021 - 5:00 pm
Në kuadër të 113-vjetorit të Kongresit të Manastirit, Muzeu Historik Kombëtar do të hapë ekspozitën me titull “Rrugëtimi drejt Alfabetit – Kongresi i Manastirit 14 – 22 Nëntor 1908” në ambientet e Muzeut të Alfabetit në Manastir më datë 22 nëntor, ora 17:00, dhe në ambientet e Galerisë Nacionale “Çifte Hamam” në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut në datën 23 nëntor 2021, ora 18:00.
Ekspozita paraqet rrugëtimin e përpjekjeve të rilindasve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në shek. XIX dhe veçanërisht në fund të gjysmës së parë të tij. Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote.
Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.
Kjo ekspozitë e përgatitur nga Muzeu Historik Kombëtar do të qëndrojë si një ekspozitë e përhershme në Muzeun e Alfabetit në Manastir. / KultPlus.com