Në kujtim të Muslim Mulliqit

13 Janar, 2018 - 10:42 am

Në kujtim të Muslim Mulliqit

PËRKUJTIM ME RASTIN E 20 VJETORIT TË VDEKJES SË BARDIT TË PIKTURËS SHQIPTARE AKADEMIK MUSIM MULLIQI.

Shkruan: Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Me 13 janar të vitit 2018 mbushen 20 vjet nga ndarja fizike e krijuesit, piktorit, pedagogut, akademikut Muslim Mulliqi, doajenit të pikturës shqiptare. Muslim Mulliqi, padyshim, emri më i njohur i Arteve pamore si në Kosovë poashtu edhe në trevat tjera ku jetojnë dhe krijojnë artistet. Deri në frymën e fundit të jetës i mbeti besnik pikturës me motive dhe imazhe nga nënqielli kosovar, duke filluar nga cikli i Kullave, “Hamajve”, e deri te “Pushtimi i hapësirave të reja” të cilët e ngritën krijuesin në njërin ndër prijetarët e parë në shpërfaqjen e refleksioneve të para të artit modern që nga vitet e shtatëdhjeta.

Dita e 13 janarit për bardin e pikturës ishte ditë e kobshme, ditë kur dashamirët e artit-pikturës së tij, miqtë, kolegët e tij dhe pjesa më vitale e shoqërisë, studentët, që aq shumë i admironte, mbeten pa pedagogun, pa kolosin e pikturës shqiptare. Emri i tij jo vetëm që u bë sinonim për frymën e drejtimit ekspresionit në artet pamore të trevave shqiptare por veprat e ekspozuara në të gjitha qendrat e ish Jugosllavisë, në evenimentet më të rëndësishme siç kanë qenë: Bienali i pikturës, Trineli i vizatimit, Sallonet pranverore, vjeshtore dhe në shumë manifestime të tjera tematike e konceptuale. Në të gjitha këto ekspozita ishin të ekspozuara veprat e piktorit i cili me talentin dhe frymën ekspresive jo vetëm që e mahniti dashamirët dhe kritikët e artit, por, ishte edhe laureat i shpërblimeve nga këto ekspozita dhe krahas emrave nga qendrat jashtë shqiptare emri i tij u bë sinonim i pikturës kosovare, ndërsa nga kritikët e artit u vlerësuar si ekspresionist i denjë i kullave dhe portreteve dukagjinase… Pra, për një kohë shumë të shkurtër, por me një opus shumë të vëllimshme ndikoi në zhvillimin dhe afirmimin e artit kosovar, pa veprat e të cilit nuk mund as të paramendohet një zhvillim drejtë tendencave moderne. Apo sic është shpreh piktori, bashkëkolegu i tij Prof. Rexhep Ferri në një shkrim të shkurtër eseistik për monografinë: Muslim Mulliqi, Jeta dhe krijimtaria Artistike shkruar nga autori Dr. Hivzi Muharremi, 2000. Ai në mes të tjerash shkruan: “ Muslim Mulliqi ishte piktor më me ndikim nga të gjithë ne që filluam jetën e arteve në Kosovë. Ndikimi do të ndihet edhe në gjeneratat e ardhshme.

Pa veprën e Muslim Mulliqit nuk mund të paramendohet arti modern shqiptar. Dyzet e pesë vjet ishte në rrjedhat e ngjarjeve krijuese. Ishte Klasik dhe modern”.
Pra, në këtë dikitomi edhe mund të mbarshtrohen ciklet duke filluar me tematikë sociale, “Hamajët”, Sharraxhinjët”. Në të gjitha këto vepra, portrete shtrohen drama e njeriut, vuajtjet, thyerjet shpirtërore, çrregullimet e brendshme, etjet dhe dëshirat. Pastaj fillon me ciklin “Kullat e Dukagjinit”, “Portretet” e deri të cikli i “Pushtimit të hapësirave të Reja”…

I lindur në Gjakovë. Shkollën e mesme të Arteve Aplikative akoma të papërfunduar në Pejë, ku si nxënës i vitit të tretë aplikon në Akademinë e Arteve në Beograd, pas provimit pranues pranohet nga ana e Komisionit profesional vlerësohet si kandidati më i suksesshëm ndër kandidatë të tjerë. Është një moment shumë interesant të cilin ma ka rrëfyer Muslimi gjatë qëndrimit tim në studion e tij në vitet e nëntëdhjeta ku çdo të dytën ditë të javës kam vajtur për grumbullimin e materialeve për realizimin e monografisë së parë në Kosovë për një artist i përmasave evropiane siç ishte Muslim Mulliqi.

Rrëfimin e fillon me këto fjalë për jetëshkrimin e tij monografik për drejtorin e Shkollës së Mesme në Pejë i cili ishte shumë i vrazhdë dhe cinik, sa që Akademisë së Beogradit ju kishte drejtuar se gjoja Muslimi ishte nxënës i vitit të tretë dhe ishte bursist i Gjakovës, sipas mendimit të tij djallëzor ai nuk kishte të drejtë të konkurronte : “ Kur hyra në zyrë, rrëfen Muslimi, ai m’u drejtua me këto fjalë: “Ku je ti” – a e dinë sa ditë ke munguar nga procesi i rregullt mësimor”. Unë i përgjigjem rrëfen Muslimi: Kam qenë në Beograd, në provim pranues në Akademinë e Arteve Figurative”, Ai, më shtron përsëri pyetje: “Hë? Po çfarë ke bërë në provim? – gjithnjë me ironi. I përgjigjem: “A nuk e dini Ju se unë jam pranuar?! Atëherë, atë çast ngrihet në këmbë, i zgjatë të dy duart dhe ma uron pranimin në Akademi, duke më thënë: Ja tash uluni dhe mund të fillojmë të komunikojmë në kushte të njëjta”. Në këto kushte dhe rrethane fillon jetëshkrimi i bardit të pikturës shqiptare, të cilit edhe kundërshtarët më të mëdhenj ja kanë pranuar aftësitë dhe talentin që e posedonte për pikturë. Pra, talenti i tij që nga ajo kohë shpërfaq në elementin e ngjyrës dhe vizatimit me c’rast kjo dikitomi do reflekton në veprat e mëvonshme e sidomos pas kryerjes së Akademisë së Arteve dhe studimeve postdiplomike. Akademinë e Arteve dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Beograd. Me kthimin e tij në Kosovë në vitin 1961 fillojë një kapitull i ri, fillojë me aktivitete kulturore e veçanërisht kontributi i tij u pa në hapjen e Degës së artit figurativ pranë Shkollës së Lartë pedagogjike ndërsa në vitin 1973 në themelimin e Akademisë së Arteve Figurative. Në vitin 1974 Mulliqi zgjidhet Profesor inordinar dhe Dekani i parë i Akademisë së Arteve Figurative. Pas dy viteve e hap Fakultetin e muzikës e më vonë edhe atë të Artit dramatik. Pra, nisma e tij fillon me institucionet arsimore e në vijimësi vazhdon me ato artistike: Është themeluesi i Kolonisë së parë të artisteve në Deçan, i quajtur “Kolonia e Decanit” e cila aktivitetin e vet profesional e ka vazhduar deri në vitet e nëntëdhjeta. Pastaj është themelues i Shoqatës së Artistë Figurativ të Kosovës (SHAFK), Kontributi i tij është shpërfaq edhe në hapjen e Galerisë së Arteve në kompleksin e Pallatit të Rinisë e në shumë institucioneve të tjera kulturore.

Që të kemi një pasqyrë të qartë me fillet e krijimtarisë artistike të Mulliqit, na del sheshazi ndërgjegjësimi i njëmendtë nëpër kohë, hapësirë e periudha të ndryshme të frymëzimeve racionale, mbase edhe të natyrës sonë ekzistenciale. Që në fillim këto flasin me gjuhën e trajtësimit të autorit në faza të ndryshme. Pikërisht ky konglomerat krijues i frymëzimeve bën që krijimtaria artistike e Muliqit të ndahet e të zhvillohet në tri faza, të cilat dhe karakterizohen nga fryma dhe tendencat zhvillimore të vet piktorit. Këto merren si etapa të pjekurisë e të prodhueshmërisë së tij, ndërsa parësore për kohët nëpër të cilat krijoi janë stili dhe motivet që përbëjnë një dokumentacion të çmueshëm për të sotmen dhe të nesërmen.

Intermexo: për kullat një përkujtim
Muslim Mulliqi sikurse edhe shumë poet e shkrimtarë tonë të mirënjohur, do të thurë legjenda të shumta për kullat dukagjinase, ku do t’i bëhen tipare karakteristike për njohjen dhe identifikimin e popullit shqiptar autokton, i cili që nga ekzistimi luftoi për mbrojtjen e territoreve etnike. Gjatë shekujve kjo etni u ballafaqua me tronditje. Therje… Vdekje… Sharje e fyerje… Ndaj edhe kulla qëndron si ky popull, fuqishëm përballë çdo furtune dhe ruan gjakun e njomë të etërve dhe bijve, si amanet për nderin dhe mikpritjen. Është sinonim i qëndresës, i bujarisë dhe i fjalë burrave të mjedisit tonë. Sinonim i filozofisë shqiptare. Kulla si objekt arkitektonik i bëhet lajtmotiv gati për çdo kompozim. Prandaj askush tjetër, deri më sot, nuk e ka pikturuar Kullën më me afsh dhe më devocion se sa piktori Muslim Muliqi. Është shkrirë me tërë qenien e vet në burimin e Kullës simbol. Ngjyra e kuqe sikur na flet për vrullin e brendshëm që ka. Ato flasin dhe gjallojnë me gjuhën e kuqe të gjakut të derdhur ndër shekuj. Përmbajtja arkitektonike e këtyre kullave ka shprehur lojën figurative, të cilën piktori nuk e ka anasjellë pikë për pikë në telajo, por në bazë të kujtesës dhe të mbresave që janë reflektuar në shpirtin e tij. Pa dyshim se nga tablotë e shumta të kullave duhet veçuar: Kullë e harruar, Kulla të Junikut, kulla e Halilit, Halili pranë Kulle, etj. Me këtë ritëm, në vijimësi realizohen kompozimet deri në ciklin e fundit të fazës së tretë të krijimtarisë artistike. Fazë e cila e pasqyron tërë opusin e begatë të krijuesit.

Muslim Mulliqi ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare (1998), kur ishte në vlugun e krijimtarisë, në kohën kur e tërë popullata shqiptare përjetoi një katrahurë, ishte një kohë kur e tërë Kosova fillojë të boshatiset, një kohë e mosfunksionimit të institucioneve. Pra, në këto kohë dhe rrethana, themeluesi i shumë institucioneve kulturore e arsimore, deri në momentin e fundit ishte aktiv. Por, vdekja ja ndërpreu vrullin energjik të krijuesit pikërisht, kur tërë qenien e vetë e shkriu për atë që më së shumti e deshi, artin dhe profesionin e pedagogut. Mendoj, që kolosi i pikturës Muslim Mulliqi për 20 Vjetorin e ndërrimit të jetës e ka merituar një organizim më solemn dhe më dinjitoz të prezantimit të personalitetit të tij si pedagog themelues i Akademisë së Arteve dhe krijues i mirëfilltë i artit kosovarë, nga ana e institucioneve të kulturës, po ashtu edhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Andaj, në këtë përvjetor kujtimi, secili prej nesh duhet t’i përkulet Atij, artit dhe koloritit të ngjyrave…si komb që hapëron në tokën dhe artin e tij… / KultPlus.com

Të ngjajshme