Në lagjen Ulpiana, një koloni artistike për Ditën Ndërkombëtare të Tokës

19 Prill, 2018 - 5:00 pm

22 Prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Tokës. Në një mënyrë të veçantë do të shënohet ky aktivitet nga një grup artistësh në Prishtinë.

Në lagjen Ulpiana, tek ish-banesat e YU Programit, tash e disa vite zhvillojnë artin një grup piktorësh, aty ku edhe janë pozicionuar me atelietë e tyre. Këtë të diele, ata do të mblidhen në një lokacion të vetëm, për të krijuar një koloni të vogël artistike që ka për qëllim të ofrojë vetëdijesim që edhe në Kosovë si në shumë shtete të tjera, ekziston një rrugë ku zhvillohet arti pamor. Në këtë vend, artistët përmes stileve të ndryshme, zbërthejnë emocionet e brendshme përmes pikturës.

Ndërsa pika e dytë e këtij eventi është që do ketë muzikë, ushqim dhe pije, e gjithë kjo me vetfinancim të artistëve për ta realizuar synimin e tyre të vetëm, që të sjellin një rrymë të re në kryeqytet.


Artistët që do të jenë pjesë e kësaj kolonie artistike janë: Merita Maloku, Agron Mulliqi, Mentor Avdili, Bardha Buza, Anton Krasniqi, Afrim Spahiu, Driton Gusia, Artan Shala, Artan Kyqyku, Rilind Kabashi, Shpetim Mehmeti, Engjëll Berisha dhe Ariana Bekteshi.

Ky event do të fillojë këtë të diele, duke filluar nga ora 12:00, në Lagjen Ulpiana, tek ish-banesat e YU Programit. / KultPlus.com

Të ngjajshme