6 Korrik, 2023 - 3:20 pm
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës që për një javë solli këngëtarë e ansamble nga të gjitha trojet shqiptare dhe ato të diasporës, ka prezantuar edhe copëza arti edhe përtej valles e muzikës, shkruan KultPlus.
Florian Canga e Gentiana Ramadani përgjatë tri mbrëmjeve të fundit të këtij festivali, kanë realizuar një projekt shumë të veçantë, të cilët kanë përzgjedhë fotografi të Marubit, vepra të Kolë Idromenos, dhe krijimtarisë së thesareve të dy të parëve i janë bashkëngjitë edhe veprat e artistes nga Kosova, Dafinë Vitija.
Për këtë spektakël në muret e Kalasë së Gjirokastrës ka kontribuar edhe Fatmir Krypa, Muzeu Marubi, Galeria Kombëtare e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
Për këtë përzgjedhje të veprave të Dafinës ka shkruar vetë autorja, e cila është shprehur të jetë e nderuar që veprat e saj janë përfshirë në një linjë me dy emra kaq të mëdhenj të kulturës shqiptare.
KultPlus më poshtë ju sjell të plotë njoftimin e Dafina Vitisë, e cila shprehet të jetë e nderuar.
Për 3 netët e fundit radhazi të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër, Gjirokastra shëndriti në një spektakël hipnotizues dritash si kurrë më parë.
Përpos artistëve të fotografisë si Marubi dhe atij të pikturës Kolë Idromeno ishin dhe krijimet e mia / arti im që u vu mbi kalanë e Gjirokastrës dhe Xhaminë e vjetër të Pazarit duke dhuruar një spektakël frymëzues mes traditës, arkitekturës, artit dhe kulturës të shkrira në drita dinamike shumëngjyrëshe.
Për herë të parë Gjirokastra morri formë tjetër mes teknologjisë së avancuar dhe traditave tona për të krijuar një shfaqje mahnitëse.
E kjo nuk ishte thjesht një shfaqje por shpirti i qytetit, i ndriçuar.
Më shumë se një event ‘Gjirokastra shndrin’ ishte një valle e dritës dhe hijes, që i bënin serenatë historisë së bukur të këtij qyteti të magjishëm. E nderuar të isha pjesë e një festivali që na rikujton dhe freskon historinë dhe gjenezën tonë të pashoqe.
Falemnderit ideatorëve dhe realizuesve @floriancanga @gentianaramadani që bën të mundur të isha pjesë e kësaj ngjarje./ KultPlus.com