24 Tetor, 2024 - 10:39 pm
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë më 1 nëntor hap ekspozitën e Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2024 me artistët Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri.
Tre finalistët e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri në punën e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një shpërblim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Çmimi u ofron atyre mundësinë për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi dhe zhvillimi, me punën e tyre duke u vlerësuar nga një juri e pavarur.
Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 ka në përbërje Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Dr Vjollca Krasniqi, sociologe, profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Tre artistët e nominuar bashkëpunojnë ngushtë me ekipin kuratorial në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe marrin pjesë në ekspozitën vjetore që prezanton finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes. Për më tepër, ata do të kenë mundësinë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojnë skenën e gjallë të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim i spikatur, i pavarur, i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe i mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.
Adresa: Klubi i Boksit, Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës./express/KultPlus.com