Në Prishtinë vjen një ekspozitë me punimet e nxënësve të verbër dhe me dëmtime në të parë

3 Dhjetor, 2017 - 7:54 pm

PEJA LIONS Club në bashkëpunim me Qendrën Burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” nga Peja dhe Leo Club Prishtina, nesër organizojnë një ekspozitë shitëse.

Bëhet fjalë për ekspozitën shitëse “Një ditë për ju”- kushtuar Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, në të cilën paraqiten punimet nga nxënësit e verbër dhe me dëmtime në të parë të shkollës në Pejë, thuhet në komunikatë.

Ekspozita është pjesë e projektit me të njëjtin emër që është financuar nga D4D/Ambasada britanike në Kosovë që ka për qëllim nxitjen e vullnetarizmit në Kosovë. Në ekspozitë janë të ekspozuara punime dhe animacione në pikturë, mozaikë, punime dore, etj. kurse të ftuar janë institucione, organizata vendore dhe ndërkombëtare, biznese, etj.

Me pjesëmarrjen tuaj në këtë ekspozitë ju shprehni respektin ndaj angazhimit të këtyre fëmijëve të verbër, kurse duke blerë punimet e tyre, ju dëshmoni se puna e tyre vlen, ashtu sikurse edhe ata vlejnë.

Ekspozita hapet të hënën, më datë 04 dhjetor 2017, në Kolegjin HEIMERER, Lagja Kalabri, (Rruga për Veternik), Veranda D4, Hyrja C dhe D në Prishtinë nga ora 13.00 dhe shoqërohet me aktivitete tjera të kushtuara kësaj date. / KultPlus.com

Të ngjajshme