22 Gusht, 2017 - 1:48 pm
Në Autostrada Biennale në Prizren po ndodhë shumëçka.
Madje, po shpërndahen edhe pasaporta të veçanta, me gjithë popullin e Kosovës i cili është brenda një guace të getoizuar e me probleme për të udhëtuar kudo në botë.
Neue Slowenische Kunst – është ky një ‘shtet’ i deklaruar në vitin 1992, pjesë edhe e Bienales së Venecias këtë vit. Kolektivi artistik po shpërndanë pasaporta edhe në Prizren, shkruan KultPlus.
Kjo po ndodhë me anë të grupit IRwIN, grupi i njohur nga Ljublana me anëtarët Dusan Mandic, Miran Mohar, Andrej Savski, Roman Uranjek dhe Borut Vogelnik. IRWIN, bashkë me Laibach, grupin teatror Gledalisce Sester Scipion Nasice dhe me ‘Novi Kolektivizem’ janë bashkuar për të formuar kolektivin artistik Neue Slowenische Kunst (NSK) – në vitin 1984.
“Shteti në kohë i NSK-së, u themelua në fillim të viteve 1990. Filluam menjëherë të lëshonim pasaportat: prodhimi dhe cilësia e tyre plotësojnë standardet e kërkuara për këtë lloj produkti. Deri më sot, një numër i madh njerëzish kanë aplikuar dhe kanë marrë pasaportat tona, duke u bërë qytetarë të NSK Shtetit në kohë. Pa dyshim, ata kanë mbajtur nënshtetësinë e tyre kryesore. Shumica e aplikantëve janë njerëz nga skena e artit, domethënë artistë apo njerëz që ndjekin rregullisht ngjarjet e artit. Ky grup I mbajtësve të pasaportave të NSK, vjen kryesisht nga vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut dhe janë anëtarë të shtresave relativisht të pasura të shoqërisë. Kështu që, mund të themi se shumica e shtetasve të Shtetit në kohë NSK, vijnë nga e ashtuquajtura Bota e Parë” thuhet mes tjerash në konceptin e veprës.
Artistët po qëndrojnë në Prizren dhe po kërkojnë qytetarë që duan ta kenë këtë pasaportë.
“Vendimi ta sjellim pasaportën në Kosovë është më ndryshe se herëve tjera sepse qytetarët e Kosovës janë të privuar nga lëvizja e lirë, dhe kjo është padrejtësia kryesore. Këta njerëz kanë vuajtur gjatë luftës, sot nuk mund të udhëtojnë lirshëm, dhe kjo është e tmerrshme” thotë njëri nga artistët që e shpërndanë pasaportën për të interesuarit.
Pasaporta nuk është zyrtare, nuk mund të përdoret për udhëtim, ironike kjo të thuhet kur e dimë se kosovarët duhet të presin në radhë para dyerve të Ambasadave në Kosovë për çfarëdo lloj të vizitës jashtë saj. Një pasaportë NSK pra, është vec përdorim i fantazisë, siç thonë nga IRWIN, për KultPlus.
“Interesimi megjithatë është i madh, këtyre ditëve, këtu në Prizren. Kjo Biennale po i jep qytetit një dimension ndërkombëtar të artit, ndërsa bashkë me pasaportën tonë po plotësohet një dëshirë për qytetarët e këtij vendi” tregon më tutje një prej anëtarëve të IRWIN, Miran Mohar.
Vitet e fundit, aplikimet kanë filluar të vijnë nga Afrika, më saktë, nga Nigeria. Në fillim vetëm një grusht njerëzish, por më vonë numri i tyre filloi të rritet, shkruan KultPlus.
Në Prizren, pasaportat po lëshohen në Stacionin e Autobusëve.
Pos pasaportës, IRWIN ka sjellë në Prizren edhe video instalacione.
Katër video dokumentare të bëra gjatë dy viteve të fundit, do të shfaqen në ekspozitë dhe një arkiv i koduar i letrave të shumta të aplikimit për pasaportën e NSK-së.
– Shtetasit e NSK-së nga Nigeria, IRWIN 2007
– Shtetasit e NSK-së në Sarajevë, IRWIN 2007
– Shtetasit e NSK-së në Vienna dhe Berlin, IRWIN 2007/8
– Shtetasit e NSK –së në Taipei, IRWIN 2007
– Fjalët nga Afrika, IRWIN në bashkëpunim me qytetarët e NSK – së (NSKSTATE.COM) 2007
(Teksti u realizua me ndihmën e Rozafa Kelmendit dhe Anisa Radës. Fotografitë: Tuğhan Anıt)