6 Korrik, 2019 - 10:00 am
Qepeni i artit të izoluar është i ngritur. Në hyrje vizitorët i pret roja Frontex, është i pari “banor” i qelisë simbol. Diver Santi, protagonist i artit të rrugës, i vesh personazhit të George Lucas petkat e rojës kufitare për të treguar bindjen e tij robotike, pa kundërshti.
Si për ironi, sipër tij, ish-Presidenti kilian Salvador Allende, edhe pas vetëvrasjes (apo ndoshta vrasjes pas grushtit të shtetit në ’73-shin?), e thotë të tijën: “Të jesh i ri dhe jorevolucionar është një kontradiktë biologjike”.
Nga ana tjetër, mbin figura elegante dhe melankolike e femrës. Diku prej saj çlirohen mitet… Dukja elegante, në mënyrë fine edhe sarkastike zbut dramaticitetin e qenieve kontroverse që jetojnë brenda një njeriu të vetëm. Janë grafite, që mbajnë firmën e Sonke Wia nga Greqia, duke rrëfyer natyrshëm larmishmërinë e njëherazi lirshmërinë për të jetësuar në këtë dhomëz arti, ndjesitë e brendshme të rebelimit, romanticitetit, humorit apo edhe kotësisë momentale.
Nga jashtë qelisë së improvizuar të artit të rrugës, mund të shikohen dhjetëra gërshërë mbi një copëz druri, poshtë së cilës është lidhur një motoçikletë që mban mbishkrimin “Mos e prekni!”. Një pamje që të shtie në mend mundësinë titanike, por sidomos forcën e frikës ajsbergiane, që e bën instilacionin (ende) të palëvizshëm. Jemi në galerinë “Scissors” pranë qendrës kulturore “Iron Brush” ku jetësohet ekspozita “Anonymous”. Është një nga ngjarjet më simbolike të artit që gjatë këtyre dy muajve pret të plotësohet. “Për këdo që ka diçka për të thënë, ekspozita është e hapur.
Limitet apo një lloj censure prekin vetëm racizmin, pornografinë dhe blasfeminë fetare”, rrëfen Klodian Luca. Artisti i famshëm i tattoo-ve, tregon se hyrja e kësaj qelie, në kërkim të një reagimi konkret ndaj nevojës për hapësira të organizuara ku të bëhet arti i rrugës, mbart njëlloj paralelizmi me hyrjen në BE. Por a mund të hyjë një vend në Europë, nëse më parë nuk respektohen të drejtat e njeriut?
Përfundimi është shkruar në qepen, pra, është e sigurt se “viza duhet e drejtë” (dikush e mendon se duhet edhe të thithet me hundë). Siç po tregonim, në këtë qeli, si për absurd, ekziston liria e të shprehurit. Sigurisht që kjo nënkupton edhe lirinë e individit, të shtypit. Gazetashitësi i vogël e jep mesazhin përmes 3D-ëve të egjiptiano-amerikanes Mona Eltahawy: disobedience; defiance; disruption. (mosbindje, mosbesim dhe ndarje).
Gjatë rrugës për në qeli, ku siç Luca thotë, gjendet arti që meriton të rrijë jashtë, por edhe në brendësi të saj fiku shumëfishohet si fryt simbol. Diku propagandon për heqjen e taksave, në një cep tjetër për hapësirat publike, mandej vjen si vëzhgues, apo rrëfen zerimin e ndërtimeve. Ka gjithmonë diçka për të thënë!
Është gati e pamundur që gjatë qëndrimit në këtë strehëz të artit të rrugës, të mos e shkelësh. Veçanërisht për t’iu afruar punës që rrëfen vogëlushin pranë atij që duhet të ishte landfill lojërash, mund të dëmtosh një sërë nenesh; të drejtën e jetës, atë të lirisë së shprehjes, të shtypit, e kush e di se sa e sa të tjera. “Kushtetuta është hedhur përtokë?!”, pyesim, për të pohuar atë çka duket qartazi. “Nuk është hedhur, aty ka qenë gjithmonë! Ne mundohemi të mos e shkelim gjatë gjithë kohës, dhe nuk e kuptojmë se si pa dashje kapim cepat e saj.
Ndodh me të gjithë që vijnë, akoma më shumë me njerëz që e mbajnë kokën gjithmonë lart”, tregon Luca. Ndihet, krahas kreativitetit, mesazheve të forta, argëtimit, sensibilizimit për çështje sociale, edhe tensioni i betejës së artistëve për të fituar “fushën e tyre të lojës”. Aktualiteti flet në çdo qoshk të ekspozitës, edhe përmes artit të socrealizmit.
Protagonistët e mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar janë izoluar në këtë qeli, duke veshur jelekët portokalli të rezistencës, ndërsa mbishkrimi i zhgënjimit shoqëron procesin e vetingut, ku të gjithë fshihen pas maskës “Anonymous”. Krahas krijimeve amatore, punët mbajnë firmën e artistëve si; Kilobait, Diversanti, Grifsha, Macja e Zezë, Silent Alien, Guerrilla Spam, Sanke, Truman apo Rouse.
Mes “Shpifjes”, “Vargut të lirë”, posterit “Kërkohet një Avni” etj., vërehet simboli masonik i syrit në “Yllin Lindor” në cepat e së cilit qëndron drejtësia, korrupsioni, kanabisi, të drejtat njerëzore kundër laicizimi në formën e një bombe. Atë të “Bild” e gjejmë gati të çliruar në dalje të ekspozitës… /KultPlus.com