15 Janar, 2018 - 11:30 am
Dje, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, për herë të parë në Toronto, u hap ekspozita “Jeta dhe vepra e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë përmbante pjesë nga koleksioni i librave të vjetër dhe të rrallë të Patricia Nugee-t. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve.
Librat janë ekspozuar në katin e dytë të Robarts Library ndërsa ekspozita u ndoqën me interes nga dhjetëra bashkatdhetarë me banim në Toronto. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Ottawa, Ermal Muça, Robert Austin nga Universiteti i Torontos, Patricia Nugee si edhe anëtarë të bordit dhe këshillit të nderit të SHBSHK-së, Presidenti, Ramazan Këllezi, Presidente e Nderit Ruki Kondaj dhe miq nga shoqatat shqiptare të Londonit e Hamiltonit.
Ceremonia dhe Kjo ekspozitë u organizua nga Pasqyra Shqiptare, në bashkëpunim dhe me sposorizim të pjesshëm të SHBSHK-në dhe me sponsorizimin e “The Boutique Real Estate” me dy agjentët e shitblerjes së pronave: Toni dhe Ledi Alushi si edhe shkrimtarit shqiptaro-kanadez Përparim Kapllani.
Ekspozita do te jete hapur edhe më datën 16 Janar 2018./KultPlus.com