4 Nëntor, 2019 - 3:07 pm
Jeta Zymberi
Jola Hasimi, vajza shqiptare e cila me markën e saj JH është bërë e njohur në disa vende ndërkombëtare, po vazhdon t’i befasojë klientët e saj me produkte të reja dhe gjithmonë me shumë kualitet, shkruan KultPlus.
Produktet e JH kanë një stil të veçantë dhe lehtë identifikohen. Madje Jola shpesh ka vendosur emra apo simbole shqiptare në këto produkte duke i bërë ende më të identifikueshme.
Çanta, parfume, rripa e portofola përbëjnë markën JH të cilat tashmë po vijnë me modele të reja. Por, kësaj radhe brenda markës JH shtohet edhe një linjë e re, krejtësisht e veçantë të cilën Jola e shpalos për KultPlus.
Të gjitha këto koleksione do të marrin hapësirën e merituar, ku do të prezantohen në mënyrë të veçantë dhe në kohë të caktuar. Ato do të shpalosen me radhë por të paraprira nga “Nertil Boraj for JH”, një koleksion ky i limituar i këpucëve në përmasë për meshkuj i dezajnuar nga Nertil Boraj.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi punuar pandalur për të sjell si gjithmonë produkte që identifikohen shpejt si në stil poashtu edhe në kohë. Këtë herë brenda markës shtohet një linjë e re për të cilën jemi shumë entuziastë. Nertil Boraj for JH, është një linjë e menduar për aksesorët e meshkujve, fokusuar tek këpucët”.
Nertil Boraj for JH do të lansohet në Firence. Duhet theksuar që në këtë koleksion, ngjyrat që gjenden poshtë këpucës janë ngjyra që janë punuar me një kujdes të vecantë. Në varësi të dritës, këpuca ndryshon ngjyrën, në një ose disa nga ngjyrat e punuara.
“Çdo koleksion që e punojmë është unik, mundohemi të sjellim gjithmonë risi, mbi të gjitha vetë fakti i një këpuce në përmasa, të cilën për ta realizuar kemi një kohë të caktuar që është 6 muaj/një palë. I shtohet fakti që i gjithë ky koleksion dhe njëkohësisht të gjithë të tjerët që do të lansojmë këtë herë realizimin ja kam besuar artistit të madh rus, piktorit Alexander Nurualeff, mund të imagjinohet puna e bërë.”
E pyetur nga KultPlus nëse këto koleksione do të prezantohen edhe në Shqipëri, ajo është përgjigjur që JH ka target klientësh fiks dhe kjo bënë që shpesh prezantimet e koleksioneve të bëhen aty ku janë klientët.
Çmimet e produkteve të markës JH nuk janë aspak të lira, për vetë faktin se ato konsiderohen produkte luksi. Kujtojmë që parfumi me emrin shqiptar “Ilir” është në listën e dhjetë parfumeve më të shtrenjta në botë. Çmimi i këtij parfumi është në vlerë prej 2 mijë eurove. Kësaj radhe produktet kanë çmime shumë më të larta, por sipas Joles çmimet i arsyeton kualiteti dhe veçantia e produkteve.
“Cilësia kushton, por sepse kushton kërkimi, çdo formë, çdo ngjyrë, çdo ide është fryt i shumë studimeve. Kushton materiali, puna artizanale etj. Por të gjitha këto bëjnë që një pjesë nën logon JH të jetë lehtësisht e dallueshme. Këtë herë çmimet janë shumë më të larta, ashtu siç është edhe standardi i produkteve tona”, ka thënë Jola për KultPlus.
Të gjitha këto koleksione nga JH do të arrijnë në duart e klientëve shumë shpejt dhe Jola beson fuqishëm në atë që ka nisur shumë kohë më parë. / KultPlus.com