Nesër bëhet shpallja e fituesit të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023

1 Dhjetor, 2023 - 3:30 pm


Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka njoftuar se më datë 2 dhjetor, do të bëjë shpalljen e fituesit të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë  vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare, mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion – Qendrën për Art Bashëkohor Prishtinë dhe të marrin pjesë në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited. Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Anëtarë të jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 janë: Julieta Aranda, artiste, bashkë-themeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e çmimit çmimit Artistët e së nesërmes 2022, me angazhim në Berlin dhe Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me angazhim në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Driton Selmani, artist, Prishtinë, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023, artisët e rinj Renea Begolli, Shkamb Jaka, Arbesa Musa.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpallet me 2 dhjetor 2023 në Klubin e Boksit në Prishtinë, dhe mbyllja e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2023 do të jetë me 9 dhjetor
2023.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë në Residency Unlimited, gjatë periudhës qershor/korrik 2024, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2025. / KultPlus.com

Të ngjajshme