Nesër fillon Festivali HAPU

18 Korrik, 2018 - 8:00 pm

Festivali i artit në Hapësirë Publike ‘HAPU’, vjen me edicionin e tij të katërt duke vazhduar suksesshëm rrugëtimin e tij, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili fillon nesër, edhe këtë vit ka në qendër lëvizjen në hapësirat publike të qytetit të Prishtinës, duke vazhduar eksplorimin e tyre të pashterur në kërkim të pikave që promovojnë lëvizjen e përbashkët me qytetin.

Sipas drejtorit artistik të festivalit, Florent Mehmeti, me këto lëvizje publiku do të përjetoj së bashku eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit për kryeqytetin.

“Duke lëvizur do të takohemi, do të bashkë-krijojmë, bashkë-bisedojmë e bashkë-ndjejmë dhe do të bashkë-lëvizim. Lëvizja e qytetit do të na prodhojë imazhet e lëvizura të transformuar në një film që për rol kryesor ka banorët e këtij qyteti dhe vizitorët e shumtë në këtë kohë”, është shprehur ai.

Florent Mehmeti

HAPU këtë vit hapet në natën e parë me lëvizjet e “Liquid Loft” nga Austria, mjeshtërisht të koreografuara nga Chris Haring duke lëvizur kështu bashkë me publikun deri në oborrin e Muzeut të Kosovës dhe prej aty do të jehojnë në kokat tuaja shumë e shumë gjuhë nga kënde të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe gjuhën e regjistruar në Prishtinë, të asociuara me imazhet në lëvizje të krijuara me finesë nga Liquid Loft.

HAPU fillon nesër dhe vazhdon aktivitetin e tij deri më datë 24 korrik. /KultPlus.com

Reth programit: http://hapu.me/repository/docs/Hapu%204_Booklet_shqip_web.pdf

Të ngjajshme