Nesër hapet ekspozita personale e Lirije Buliqit në KultPlus Caffe Gallery

3 Maj, 2022 - 5:00 pm

Lirije Buliqi do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që përfshinë elemente të artit qeramik.

“Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore”, ka vlerësuar Zeni Ballazhi, kuratori i kësaj ekspozite.

Elementet e artit qeramik mbi të cilat janë vendosur shkallë të ndryshme të theksimit në kohë të ndryshme, janë forma e objektit, dekorimi grafik i saj me pikturë, gdhendja dhe metodat tjera, si dhe lustrimet e gjetura në shumicën e qeramikave.

Shumica e prodhimeve tradicionale qeramike janë bërë nga argjila (ose balta e përzier me materiale të tjera), të formuara dhe të ekspozuara ndaj nxehtësisë. Përgjithësisht, qeramika dekorative. Në përdorimin modern të inxhinierisë qeramike, qeramika është arti dhe shkenca e bërjes së objekteve nga materialet inorganike, jometalike, por nga veprimi i nxehtësisë.

Çdo artist i qeramikës hulumton nga historia e së kaluarës sipas përdorimit të praktikave të vjetra, në mënyrë që t’i japë një përmirësim modern teknikave të reja.

Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore.

Qeramikat duken magjike. Ato imitojnë materiale të ndryshme në copa dhe në mënyrë efektive tërheqin vëmendjen në shkaqet e rëndësishme. Qeramikat nga balta, të krijuara nga ky nivel, demonstrojnë shkathtësinë dhe diversitetin.

Buliqi kërkon ta spikatë bukurinë që shpesh rezulton nga prishja, ndërsa në të njëjtën kohë, duke e bërë shikuesin të vë në pikëpyetje perceptimin e tij mbi veten dhe botën.

Në veprat e saj, objektet etnike dhe detajet nga veshjet tradicionale janë të inkuadruara në marrëdhënie profesionale mjaft të thjeshta. Ato formulojnë imazhet si kujtime të ndjera për kombin, të cilat artistja i përket vazhdimisht me artin e saj. Detaje nga kostumet popullore, thasët apo torbat e lidhura, herë me bukë dhe herë bosh, lëvizin vazhdimisht në shumë sipërfaqe të qeramikave, sikur të vizatuara pas mureve të rrjepura nga koha.

Krijimtaria e saj është një imazh me dritë të pasur e të fuqishme, ku objektet-shenja përbejnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme.

Qeramikat e Lirije Buliqit dëshmojnë një rrugë të gjatë, ku eksperimenti artistik konkurron në vazhdimësi një imazh mjaft personal, tashmë plotësisht të formuluar. / KultPlus.com

Të ngjajshme