10 Prill, 2018 - 9:03 pm
Ornela Vorpsi, një personazh i njohur i kulturës shqiptare jashtë kufijve, do të vijë për herë të parë me një ekspozitë personale në Tiranë.
Më 11 prill artistja do të ekspozojë në COD Qendrën për Hapje dhe Dialog, ekspozitën e titulluar “Providence”. E njohur për stilin e saj ndryshe, imazhet e sjella në këtë ekspozitë janë krijime që sjellin profilin e një artisteje të angazhuar. Vorpsi do jetë e pranishme dhe në serinë e takimeve “Letërsia dhe qyteti” më 10 prill ora 18.30, përballë dy gazetareve Alda Bardhyli dhe Beti Njuma, ku për herë të parë do të bëjë një rrëfim mbi karrierën e saj të ndarë mes letërsisë dhe pikturës.
E lindur në Tiranë më vitin 1968, Vorpsi ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për të vijuar më pas në Akademinë Brera në Itali për pikturë. Më 1997 ajo udhëtoi drejt Parisit ku pas studimeve në Paris VIII, nisi të botonte dhe librat e saj të parë në gjuhën italiane e së fundmi në frëngjisht.. Monografia e saj e parë fotografike “Nothing Obvious”, botuar nga “Scalo”, është një nga ata libra që përcaktoi vendin e saj në fotografinë bashkëkohore në shoqërinë e Richard Billingham-it, Ray Laugh-it dhe Martin Parr-it.
“Nothing Obvious” është një libër me portrete femërore dhe autoportrete. Në shumicën e imazheve gruaja është parë e vetmuar, në hapësira të zbrazëta. Megjithatë imazhet nuk janë pa njëfarë sensualiteti, ato provokojnë më së shumti mendimet e përvojave të së kaluarës. Nëse “Asgjë e pakuptimtë” është pjesa më e rëndësishme deri tani në karrierën e Vorpsit si fotografe, një tjetër sfidë ka prekur së fundi Vorpsi, letërsinë. Romani i saj “Vendi ku nuk vdes kurrë”, i shkruar në italisht, është botuar në Francë nga shtëpia e njohur botuese “Actes Sud”, “Dora që nuk e kafshon”, “Dashuri e çmendur”, “Udhëtim rreth nënës” (2015) është botuar në frëngjisht nga “Nottetempo” etj. / KultPlus.com