24 Prill, 2018 - 11:30 am
Iniciativa për Histori Gojore përmes një njoftimi për media bën të ditur se nesër, në Pejë, hap ekspozitën “Fushata e Pajtimit të Gjaqeve”.
Kjo ekspozitë vjen si përmbyllje e hulumtimit dyvjeçar të këtij zhvillimi nga Iniciativa. Hulumtimi është fokusuar në ngjarje dhe kujtime të treguara nga protagonistë të fushatës, ish të rinj të burgosur politikë, klerikë të besimeve të ndryshme, shkrimtarë e studiues.
Qëllimi i hulumtimit ka qenë regjistrimi i kësaj përvoje unike, e cila ka ndodhur në Kosovë gjatë regjimit shtypës të Millosheviqit.
Fushata për Pajtimin e Gjaqeve ka qenë thirrje për pajtim dhe unitet ndër shqiptarët e Kosovës, në kohën kur fajet për vrasjet e protestuesve shqiptarë nga milicia e atëhershme serbe nëpër protestat e shqiptarëve kundër shtypjes së regjimit, nga propaganda e atëhershme serbe u visheshin shqiptarëve, se gjoja milicia nuk po i vret shqiptarët, por ata po i shfrytëzojnë trazirat për të “qëruar hesapet” mes vete.
Erëmirë Krasniqi, udhëheqësja e hulumtimit, ka punuar në konceptin kuratorial të ekspozitës “Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991”. Koncepti i ekspozitës përdorë tregimtarinë si parim organizativ dhe huazon struktura narratologjike nga intervistat që bazohen në metodologjinë e historisë gojore. Koncepti kuratorial i ekspozitës Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990—1991 vë në qendër praktikat imateriale, dijen e cila është intimisht e lidhur me kujtesën, dhe si e tillë trajton një histori e cila ka lënë fare pak apo aspak objekte materiale.
Ekspozita do të hapet më 25 prill (19h00) në Galerinë e Arteve në Pejë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 21 maj, 2018./KultPlus.com