Nesër shpallet fituesi i çmimit të madh “Artistët e së Nesërmes”

3 Dhjetor, 2017 - 12:30 pm

Nesër më 4 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Klubin e Boksit në kryeqytet, do të shpallet fituesi i çmimit Artistët e së Nesërmes 2017-të, organizuar nga Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor, shkruan KultPlus.

Ekspozita që është hapur më 3 nëntor do të qëndroj e hapur deri nesër më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi.

Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Juria e çmimit Artistët e së nesërmes 2017, e përbërë nga Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch, Drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International (ICI), Neë York, ka përzgjedhur finalistët bazuar në kriteret e inovacionit, praktikave të fuqishme dhe interdisiplinare, meritat e portfolios artistike, arritjet e mëparshme, ekspozitat si dhe potenciali i demonstruar deri më tani.

Finalisti i parë i çmimit Artistët e së nesërmes 2017 është Meriton Maloku i cili ka befasuar jurinë me vizionin e ndërthurjes së tamatikave më aktuale të përditshmërisë.

Finalistja e dytë është Enesa Xheladini, që dëshmon praktikë të theksuar vizuele e shprehur në formë të skeçeve dhe shënimeve për skulptura dhe instalacione publike, e gjitha si reuzultat i praktikës së saj në fushën e arkitekturës.

Finalisti i tretë është Jetullah Sylejmani që hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuele./ KultPlus.com

Të ngjajshme