Nga Italia në Tiranë me një ekspozitë befasuese, Liliana Çika surprizon me nudot e kuqe

21 Tetor, 2021 - 8:27 pm

Piktorja dhe skulptorja Liliana Çika që jeton në Itali dhe është vlerësuar për artin e saj me dhjetëra dekorata e çmime ndërkombëtare, sfidon gjendjen e vështirë shëndetësore, duke sjellë në atdheun e saj një ekspozitë befasuese. Përmes saj, figura e gruas çmohet si fuqia, energjia dhe bukuria e kësaj bote.

Për shkak të kapriçiove të fatit, Liliana Çika është e detyruar të qëndrojë në një karrige me rrota, por shpirti, mendja dhe dora e saj nuk dinë të ndalen.

E njohur në galeritë më prestigjioze të Italisë, skulptorja dhe piktorja e njohur u kthye për pak ditë në Shqipëri me një ekspozitë surprizuese që titullohet  “Në kufijtë e pafund të artit pamor”.

Surprizueze janë edhe këto kupa, medalje e tituj të marrë në Itali dhe në ekspozitat ndërkombëtare

“Liliana Çika u vendos pas viteve ’90 me familjen e saj në Itali, afër Sienës dhe aty krijoi një personalitet të dytë, përsa i përket artit, krejt të ndryshëm nga realizmi socialist”, rrëfen kuratorja e kësaj ekspozite Suzana Varvarica Kuka.

Studiuesja e artit Suzana Varvarica rrëfen historinë e udhëtimit artistik të Liliana Cikës, duke na e përshkruar sesi ajo është ngjitur në nivelet më të larta të artit pamor.

“Një fatkeqësi shumë e rëndë, ndarja nga jeta prej një aksidenti të djalit të saj bëri që Liliana të ndryshonte totalisht edhe mënyrën e të krijuarit që do të thotë se ajo kaloi nga skulptura në pikturë, pasi ajo nuk e ndjente më baltën, sepse emocionalisht dhe psikologjikisht ajo pati një rëndesë. Ajo kaloi menjëherë në pikturën e vajit, në telajo si gjithmonë, mbi një dydimensional, duke krijuar fuqinë pashtershme që ka gruaja në raste shumë të rënda, siç është rasti i saj. Pra, iu kushtua totalisht pikturës duke sjellë gruan.  Po ta shikosh sjell një grua të kuqe, dhe natyrisht dhe kjo e kuqe për mua është fuqia që duhet të ketë gruaja për të mbijetuar në çdo lloj situate”, tha studiuesja e njohur e artit, Suzana Varvarica.

Udhëtimi i ekspozitës së Liliana Cikës në Tiranë, për t’u çelur përfundimisht në Muzeun Historik Kombëtar,  ka nisur si një ëndërr.

“Për këtë ekspozitë më lindi ideja papritmas. Meqë do të vija, thashë po i heq nga muret gjithë këto punime që kam bërë dhe po i çoj në Shqipëri. Të hap një ekspozitë dhe lajmëroj djalin për këtë. “Më gjej një mjet, si t’ia bëjmë?”, -i thashë. Më tha “Mam, mos u shqetëso, mblidhi punët, mjet të gjejmë ne”, -dhe më solli një kamion që të nesërmen. Dhe erdhën punimet përpara, pastaj erdha unë. Atje më dukeshin pak. Këtu më duken shumë”, u shpreh e emocionuar piktorja Liliana Çika.

Në këtë ekspozitë bota e piktores shfaqet bashkë me subjektet e veprës, e dallgëzuar në të kuqe.

“Liliana e tejkalon realizmin, siç të thashë, pastaj futet në modernizëm. Ajo shumë shpejt duket që përqafon atë lloj rryme që për ne studiuesit një lloj fovizmi, i cili është mjaft interesant në këtë rast, por ajo asnjëherë nuk heq dorë nga figurativiteti. Pra ne e shohim figurën’, tha studiuesja e artit Kuka.

Liliana Çika ka lindur në Tiranë në vitin 1953. Pasi përfundoi studimet për skulpturë monumentale ajo ka punuar në muzeun etnografik deri 1998. Pas viteve –‘90 emigroi në Itali dhe punoi në atelietë e mobilieve klasike në Siena. Hapi me dhjetëra ekspozita në Itali dhe Shqipëri.

Skulptorja dhe piktorja e talentuar  Liliana Çikës është vlerësuar edhe nga kritiku i njohur Vittorio Sgarbi. Ai e ka cilësuar artin e saj si një mbështetje fondamentale të suksesit të manifestimit artistik”. /shqiptarja/ KultPlus.com

Të ngjajshme