Nga Italia në vendlindje: Një ekspozitë për artëdashësit shqiptarë

4 Dhjetor, 2020 - 10:09 pm

Piktori dhe karikaturisti shqiptar Agim Sulaj jeton në Itali dhe numëron dhjetëra çmime ndërkombëtare. Në vijim të traditës së krijuar katër vitet e fundit edhe këtë vit do të realizojë një ekspozitë personale në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë.

Ekspozita do të çelet në fund të javës që vjen.

“Është një ekspozite personale në vijim të tradites qe kam krijuar këto katër vitet e fundit në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë. Një takim i përvitshëm me artëdashësit shqiptarë, miq dhe kolegë”, tregon piktori Agim Sulaj.

Ai tregon gjithashtu se situata nuk është e lehtë për shkak të pandemisë, por gjithsesi vendosi të mos e ndërpresë këtë traditë të nisur prej katër vitesh.

“Këtë vit situata është vështirësuar për shkak të pandemisë, por pasi e mendova gjatë vendosa ta bëj, pasi mendoj se jeta artistike duhet të vazhdojë. Një dhuratë për publikun e artdashësit shqiptarë. Tani ka nevojë për art i cili ju zbukuron jetën njerëzve.”

Në këtë ekspozitë do të jenë rreth 24 punime me tematika të ndryshme në pikturë. Tablo historike dhe peisazhe nga Italia dhe Shqipëria.

“Mbresa nga fëmijëria dhe bregdetin e bukur të qytetit të Vlorës ku u rrita. Gjithashtu do të kenë një tablo dedikuar COVID, një homazh mjekëve e infermierëve për ditët e vështira që po jetojmë.

“Në fakt titullin kjo ekspozitë e merr nga një tablo e një infermieri që shtrëngon në gjoks një të moshuar me COVID. Më frymëzoi një foto e publikuar këto ditë në “Washington Post” dhe e bëra tablo”, shprehet piktori Agim Sulaj. /dp/ KultPlus.com

Të ngjajshme