28 Nëntor, 2021 - 6:00 pm
Në këtë 109 vjetor të Pavarësisë, Ditës së Flamuri, Arkiva e Shtetit së bashku më Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës kanë hapur në Kalanë e Tiranës ekspozitën “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë” duke kujtuar sakrificat që na sollën deri tek liria.
Në ceremoninë e hapjes mbajti fjalën Ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi, drejtoresha e Evidencës Qendore dhe Komunikimit në DPA, Elsa Saka, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe administratotra e Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani.
Mes materialeve të ekspozuara ka dokumente të fillesave të kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë, njoftime të shpalljeve të Pavarësive të disa qyeteve të Shqipërisë, një histori e shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin si dhe imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë.
Po ashtu janë paraqitur edhe disa fotografi të festimeve pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet të cilat janë zhvilluar pas vitit 1937 e më tej.
Pjesë e aktivitetin ishin dhe valltarët e ansamblit folklorik “Shqiponja” që i dhanë një atmosferë me ngjyra festës sonë kombëtare./KultPlus.com