“Nga pluhuri i arkivave” ekspozita e Uran Haxhës që shpërfaqë Suharekën nga vitet e 60-ta

3 Korrik, 2021 - 6:02 pm

Një përzgjedhje mes shumë artikujsh nga gazeta e vetme e kohës, Rilindja, për qytetin e Suharekës është bërë nga gazetari Uran Haxha.

Ai këta artikuj i ka ekspozuar në Muzeun e Qytetit të Suharekës, ku do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë ekspozita me emër “Nga pluhuri i arkivave”.



Ata që e vizitojnë këtë ekspozitë do të mund të shohin e lexojnë realitetin e kohës, se si kishte filluar fabrika e Ballkanit, për arkeologjinë, kulturë, arsimin e sportin.

Autori i ekspozitës, Uran Haxha tha se kjo ekspozitë shërben si nxitës i ruajtjes së memorjes kolektive.



“Unë kam hulumtuar për një kohë të gjatë në arkiva dhe kam gjetur shumë artikuj interesant. Mes artikujsh, natyrisht edhe fotografi. Por, kam vërejtur që ne si shoqëri nuk kemi një kulturë të arkivimit dhe humbim shumë dokumente dhe fotografi të rëndësishme. Andaj po shpresoj që kur vizitorët të shohin këtë ekspozitë, të nxitën për të ruajtur kujtimet e tyre. Natyrisht kjo ekspozitë synon edhe tregimin e realitetit të kohës që është në fokus, vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar”.


Kurse, ndër të pranishëm në ekspozitë, kryetari i Komunës së Suharekës tha që kjo ekspozitë është vlerë e shtuar për muzeun e qytetit dhe një pasqyrim i një kohe tjetër që nuk e kemi njohur.


“Pothuajse të gjithë nga ne këtu nuk e kemi mbërrirë atë kohë. Kjo është një ekspozitë që i shton vlerën muzeut të qytetit dhe besoj që do të vazhdohet me ekspozita tjera të tilla nga autori. është e rëndësishme të njohim të kaluarën tonë nëpërmes këtyre gjetjeve”, ka thënë Muharremaj.



Ekspozita do të jetë rezidente në Muzeun e Qytetit të Suharekës dhe vizitorët mund ta vizitojnë çdo ditë pune./KultPlus.com

Të ngjajshme