Nga Pogradeci, në Gjermani, piktori Anastas Kostandini hap ekspozitën e tij në muzeun Wismar

1 Shtator, 2023 - 9:00 pm

Një piktor nga Pogradeci viziton Wismar-in. Anastas Kostandini, i njohur si Taso sapo ka çelur ekspozitën personale në Muzeun Historik të wismar-it në Gjermani, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 tetor.

Pikturat e tij në vaj dhe grafikat shpërfaqin peizazhet shqiptare. Jetën dhe punët e njerëzve në fshat. Por mund të shihen edhe natyrat e qeta, peizazhet urbane, apo edhe autoportretet e artisit. Kur Taso e vizitoi Wismarin që në vitin 2014, gjithashtu pikturoi një peizazh të qytetit, i cili është i njohur për prodhimin industrial te avionëve dhe anijeve.

Vetë artisti e quan këtë ekspozitë si një ndër më të arrirat dhe më të suksesshmet. Kuratorja e ekspozitës Karren Elisabet Hammer kishte studiuar më herët në detaje biografinë e Anastas Kostandinit dhe pritja ceremoniale ka qenë e veçantë.

Anastas Kostandini ka lindur në vitin 1954 në Pogradec, ku edhe jeton e punon. Në vitin 1978 diplomohet për pikturë monumentale dhe kavaleti në Akademinë e Arteve të Tiranës, dhe në vitin 1991 i jepet titulli “Piktor i merituar”. Përveçse me pikturë, merret edhe me mozaikë dhe piktura murale, ku disa syresh janë ndër më të rëndësishmet në Shqipëri. Ai është pjesëmarrës dhe organizator i shumë kolonive pikture. Është një nga bashkë autorët e mozaikut “Shqipëria”, në fasadën e Muzeut kombëtar historik në Tiranë, përfunduar në 1981./TopChannel/KultPlus.com

Të ngjajshme