Nga Strasburgu në Tiranë, hapet ekspozita për kështjellën e Rozafës ‘The legend is back home’

30 Korrik, 2017 - 9:42 am

Ekspozita më e re e çelur këtë sezon vere është “The legend is back home” kushtuar dhe frymëzuar nga legjenda e Kështjellës së Shkodrës, “Rozafës”, e cila gjithmonë i ka bërë njerëzit kureshtarë rreth historisë së saj.

Në galerinë e artit “Kalo” në Tiranë në ekspozitën me piktura “The legend is back home” (Legjenda është kthyer në shtëpi) janë punë të artistëve të njohur shqiptarë. Veprat e tyre si pjesë e kësaj ekspozite janë para viteve ’90 për të vijuar me punë, që nga artistë të njohur deri në ditët e sotme. Në galerinë “Kalo” janë prezantuar vepra të autorëve si Kol Idromeno, Danish Jukniu, Sytki Brahimaj, Edi Hila, Artan Draçini, Merita Selimi, Gjon Jon Kraja, Andi Hila, Sidi Kanani, Eros Dibra, Pjerin Kolnikaj, etj. Më herët veprat e autorëve shkodranë u prezantuan dhe në Strasburg e më gjerë. Në ekspozitë prezantohet me veprën e tij dhe piktori shkodran Andi Hila. Piktori e vlerëson pjesëmarrjen në ekspozitën, e cila këto ditë vere do të qëndrojë për publikun në galerinë “Kalo” deri më datë 20 gusht.

“Kam një punim në pikturë me dy dritare të murosura. Ajo pikturë është realizuar pas një vizite, ku vura re një mori dritaresh, të cilat ishin mbyllur me mure dhe këtu u frymëzova për këtë punim. Kjo ekspozitë ka shëtitur në disa vende dhe se fundi është kthyer në galeri, ku tani qëndron e hapur për publikun. Unë nuk di të flas shumë për punimet e tjera, por boshti është ngujimi dhe murosja”, pohon piktori shkodran Andi Hila, i cili është pjesë me veprën e tij në ekspozitën “The legend is back home”, shkruan SotNews.

Udhëtimi i ekspozitës si fillim nisi me titull “Legjenda e një kështjelle / Legende de la Citadelle”, që filloi në Strasburg. Por tani ajo vjen me titullin “The legend is back home” këto ditë vere për publikun, i cili mund të njihet me veprat e autorëve të njohur, por dhe të rinj shkodranë.

Historia dhe legjenda

Ekspozita tregon ndikimin e historisë së qytetit dhe legjendës së kështjellës, e ndërtuar në sajë të sakrificës së gruas e nënës së re Rozafës- në formimin e artistëve, që e kanë bërë këtë qytet të ketë një rol udhëheqës në mbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës, artit dhe sportit në të gjithë Shqipërinë. Përzgjedhja e veprave është frymëzuar nga ideja se artistët që e kanë origjinën nga qytete e kështjella të rrethuara me mister dhe legjendë, e reflektojnë frymën e legjendave edhe në artin e tyre. Shkodra ka edhe një numër të madh heronjsh që janë në qendër të legjendave dhe historive, si Gjergj Elez Alia, Muji e Halili, Kostandini etj. Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne. Gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar. Legjenda e Rozafës është një legjendë e përcjellë brez pas brezi. Ajo është trashëguar dhe përshtatur më së miri nga penda e prozatorit të njohur Mitrush Kuteli për të gjithë lexuesit në librin “Tregime të Moçme Shqiptare”./ KultPlus.com

Të ngjajshme