Ngjyrat e Henri Matisse

7 Prill, 2024 - 10:13 pm

Nëse ka piktor që i bëri ngjyrat të flasin, të këndojnë e madje të kërcejnë, ai ishte pa dyshim, Henri Matisse. Dashuria për “ngjyrën e pastër, të shndritshme, farfuritëse” ishte një nga veçoritë e qëndrueshme dhe të pandërprera të rrugëtimit të tij artistik (punoi deri në të 80-at).

Në vitin 1908, i njohur dhe i vlerësuar tashmë, Matisse shkruan në esenë: “Shënime të një piktori”: “Unë ëndërroj artin e ekuilibrit, pastërtisë, qetësisë, pa shqetësime ose brenga, një art që është për çdo punëtor intelektual, si për biznesmenin, edhe për njeriun e letrave, për shembull, një qetësues, qetësues cerebral, diçka e ngjashme me kolltukun e rehatshëm ku mund të prehesh pas lodhjes fizike”.

Pa dyshim, pikturat e tij ende frymëzojnë gëzimin e të jetuarit (joie de vivre), duke marrë titullin e një prej veprave të tij më emblematike. Kryevepra si “Nudo blu”, “Luksi”, “Muzika dhe vallëzimi”, krijuar në dekadën e parë të shekullit XX, deri në vepra më të pjekura, si “Ëndrra”, përshkohen në mënyrë absolute nga një bukuri e qetë dhe çlodhëse.

Lindur më 31 dhjetor 1869 në Le Cateau-Cambrésis, një qytet i vogël në Francën veriore, Henri-Émile-Benoît Matisse i kaloi njëzet vitet e para të jetës midis vendlindjes dhe qyteteve përreth Bohain-en-Vermandois dhe Saint-Quentin. Në 1891, u transferua në Paris për të marrë pjesë në Akademinë “Julian”, ku ndoqi kurset tradicionale të William-Adolphe Bouguereau. Më pas, përqafoi mësimet e piktorit simbolist Gustave Moreau, me pikëpamje më të hapura. Në kryeqytetin francez, Matisse kopjoi mjeshtrat e mëdhenj në Luvër, krijoi miqësi me piktorët Rouault, Pissarro, Derain dhe Signac, admiroi Monenë dhe impresionistët, u hipnotizua nga veprat e Sezanit, nga të cilat bleu pikturën “Larëset”. Në sallonin e shkrimtares dhe mbrojtëses Gertrude Stein, vendtakim artistësh dhe intelektualësh, Matisse takon Pikason. Gjatë gjithë jetës, mes atyre të dyve, do të ketë një marrëdhënie dashuri-urrejtje, rivalitet dhe vlerësimi të ndërsjellë, aq sa në vdekjen e Matisse, në 1954, Pikaso do të shprehet: “Askush nuk i ka këqyrur pikturat e Matisse më me kujdes se unë, sikurse askush nuk i ka këqyrur të miat më me vëmendje sesa ai”.

Në vitin 1905, me tablonë: “Luks, qetësi dhe sensualitet”, blerë më vonë nga Signac, Matisse eksperimentoi teknikën divizioniste, porse qe veçse një interval kalimtar para se të arrinte në një stil të karakterizuar nga tonalitete të ashpra dhe shpërthyese, të ashtuquajtura fauvisme. Ishte kritiku Louis Vauxcelles që shpiku këtë term me rastin e Sallonit të Vjeshtës në 1905. Megjithatë, për Matisse dhe shokët, emri fauves do të mbetet gjithmonë dhe vetëm një etiketë e përhapur nga kritika dhe asgjë më shumë. Artisti kthehet drejt një pikture më pak të zhurmshme, më të ekuilibruar dhe në harmoni me natyrën, nxitur gjithashtu nga udhëtimet e ndryshme të bëra në kërkim të dritës së ngrohtë dhe të gjallë të Mesdheut: së pari, në Collioure, në Kosta Vermiglia, së bashku me shoku Derain, mandej në Algjeri, Itali, Spanjë dhe Marok./

Në vitet 1920, Matisse gjeti mjedisin ideal në Nice për të vazhduar kërkimet artistike. Tani, dritaret e hapura të hasura në shumë prej pikturave të tij, nuk shohin më në bulevardet pariziene ose në magjiplotën Notre-Dame, por mbi pemë dhe kopshte, në det. Më tej, në vitin 1930, rinis udhëtimi plot frymëzime dhe sugjerime: “Unë jam piktor sedentar. Kur ëndërroj, shpeshherë mendja është e ngazëllyer prej leximit ose objekteve ekzotike. Kam udhëtuar shumë me imagjinatë dhe, meqë qartësia e dritës shndërrohet në qëllimin kryesor të punës time, më lindi pyetja: “Si do të jetë drita, në anën tjetër të hemisferës?”. […] Kjo shpjegon udhëtimin tim të gjatë, në Oqeani”.

Në fund të jetës, i dobësuar nga një sëmundje e rëndë, Matisse e braktisi gradualisht pikturën në kanavacë, për t’iu përkushtuar një forme të re shprehjeje, asaj të letrave të prera (papiers découpés): peneli ia lë vendin gërshërëve, për t’iu dhënë jetë kolazheve madhështore, gjithnjë e më magjepsëse. Prerja e figurave dhe ngjitja në letër përbëjnë një praktikë më qetësuese, por jo më pak magjepsëse. Me format dredha-dredha, ndjellëse dhe dallgëzuese, “Nudot blu” bëhen një lajtmotiv i periudhës së pjekurisë artistike. Midis 1948 dhe 1951, i shtrënguar të jetonte në karrocë, Matisse nuk iu dorëzua dobësimit fizik, përkundrazi krijoi veprën e fundit të jashtëzakonshme, atë që ai vetë do ta konsideronte kulmin e karrierës: “Kapela e Santa Maria del Rosario në Venice”, fshat i vogël ku artisti strehohet ditët e fundit të jetës. I porositur nga murgeshat dominikane, projekti përfaqëson rezultatin e një jete të shenjtëruar në art. Mjeshtri i moshuar, kujdeset për të gjitha detajet zbukuruese, nga vetratat prej qeramike, deri te veshjet priftërore.“Dua që vizitorët në kishëz, të ndiejnë lehtësim shpirtëror. Se, edhe pa qenë besimtarë, ata e gjejnë veten në një mjedis ku shpirti lartësohet, mendimi ndriçohet, vetë ndjenja bëhet më e lehtë”.

“Jeta ime, ka ndjekur një kurbë harmonike”, – i rrëfen artisti, tani afër vdekjes, asistentit të tij, Paule Martin. Edhe tablotë, tanimë janë plot me kthesa harmonike, të lehta dhe të gjalla, të populluara nga dhoma me pamje dhe vetrata, instrumente muzikore dhe peshq të praruar, pëlhura dhe arabeska, figura të plogështa femërore dhe trupa që vallëzojnë. Vepra të shpërndara në muzetë e të gjithë botës dhe që përfaqësojnë shprehjen e gëzueshme të asaj “fuqie emocionale të ngjyrës”, që Matisse, ka kërkuar vazhdimisht, gjatë gjithë jetës së tij. /Hejza/KultPlus.com

Të ngjajshme