26 Prill, 2025 - 8:00 pm
Në qytetin e Shkodrës, në galerinë ODA, u hap ekspozita personale e artistit të ri nga Kaçaniku, Fetah Shehu. Për herë të parë në Shkodër, Shehu prezanton punën e tij të ndjeshme dhe të fuqishme përmes ekspozitës me titull “Bashkëbisedim me nënloken”.
Punimet e tij, të përqendruara në portrete dhe shikime të mbushura me emocione të thella, sjellin para publikut kujtesën e dhimbshme të luftës në Kosovë. Çdo vështrim i kapur nga dora e artistit është një rrëfim pa fjalë, një dëshmi e fuqishme e dhimbjes, forcës dhe qëndresës.
Artëdashës të shumtë, turistë dhe miq të artistit u mblodhën në hapjen e ekspozitës, duke përjetuar emocionet që përcjellin mjeshtërisht punimet e tij. Fetah Shehu, i lindur pas përfundimit të luftës, shprehet se përmes artit të tij dëshiron t’i tregojë botës këtë faqe të rëndë të historisë së Kosovës, të rrëfyer nga vetë nënlokja e tij, si një kujtesë e gjallë dhe e përjetshme.
Galeria ODA, me magjinë e saj për të sjellë në Shkodër artistë nga mbarë bota, edhe këtë herë dëshmon rolin e saj si një hapësirë e gjallë e kulturës. Në historikun e saj, dhjetëra artistë kanë sjellë artin e tyre këtu, por njëkohësisht kanë marrë me vete një copë Shkodër — histori, traditë dhe shpirt.
Ekspozita “Bashkëbisedim me nënlokën” do të qëndrojë e hapur për 10 ditë, duke ftuar publikun të njohë përmes artit një nga faqet më të ndjeshme të historisë shqiptare./ KultPlus.com