”Një ditë e zakonshme shtatori”, erdhi në Prishtinë përmes pikturës së vajit

20 Shtator, 2019 - 12:30 pm

Arti flet ndryshe, artisti jeton ndryshe. Për artin dhe artistin asgjë nuk është e zakonshme, ose është në pazakonshmërinë e vet. Shpesh kur gjërat bëhen rutinë, ose kur të këqijat normalizohen, situata edhe pse joalarmante, të paktën është shqetësuese.


Vehbi Murati, duke u inspiruar nga kjo situatë që vie vetvetiu, e shpesh pa u hetuar, mbrëmë, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, bëri hapja e ekspozitës personale ”Një ditë zakonshme shtatori”, shkruan KultPlus.

I rritur në vitet e nëntëdhjeta, ambienti i trazuar politik për popullin shqiptar të Kosovës, pashmangshëm se kishte ndikim edhe në shprehjen emocionale e artistike të Vehbiut.

Dhe jo vetëm zhvillimet e fundshekullit të kaluar në Kosovë, por edhe ato të dy dekadave të para të shek. XXI., pasqyrohen në habitatin personal kulturor të piktorit Vehbi Murati.

Murati, për KultPlus potencoi se ”Një ditë e zakonshme shtatori”, përbëhet kryesisht prej pikturave të punuara kohëve të fundit, dy vitet e fundit më saktesisht.

Në pikturat të punuara me ngjyra të vajit, shohim të vënë në pah, atë që e shohim cdo ditë rrugëve. Pkturat janë të paraqitura në formate të mëdha dhe në secilën është e paraqitur një ”e zakonshme”, e ditëve tona.

Autori për KultPlus poashtu deklaroi se, ajo që tek ne është bërë e zakonshme, si situata ekonomike e te tjera gjëra, është e zakonshmja më e dhimbshme, ”është bërë e zakonshme dicka që nuk do të duhej të ishte”, u shpreh ai.

Kuratori i ekspozitës Mehmet Behluli, njëkohësisht edhe profesor i arti, u shprej i kënaqur me punën e Muratit, duke e njohur këtë të dytitn si njërin prej artistëve më premtues të gjeneratës së tij.

Vehbi Murati, ka realizuar disa projekte artistike, dukë përfshirë skenografi për teatër, ilustrime për revista dhe ka qenë pjesëmarrës i disa ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita ka për kurator Mehmet Behlulin, ndërkaq drejtohet nga koordinatorja e GMK-së, znj. Dhurata Ramosaj-Shala./KultPlus.com

Të ngjajshme